Përgjigje për shërbëtorët e Grabovcit në Gjykatën e Apelit

Rrjetit të Grabovcit nuk i kryen punë kërcënimet, përpjekjet për shantazh, presioni, ofertat “për me keshirat”. Por,  Adem Grabovci u aktivizua në terrenin e tij, Gjykatën e Apelit. Në këtë institucion që e emëroi Sali Mekajn, ish-drejtuesin, nëpërmjet një telefonate. Ai po synon që t’i hakmerret Insajderit nëpërmjet vendimeve të gjyqësorit “të pavarur”.

Përgjigje për shërbëtorët e Grabovcit në Gjykatën e Apelit

Njerëzit e pushtetit nuk janë të pa mençur. Saktësisht kanë planifikuar secilin veprim. E kanë ditur se do t’u duhen policët e tyre. E kanë ditur se do t’u duhen prokurorët si Haxhi Derguti, e Bahri Hyseni. E kanë ditur po ashtu se do t’u duhen gjyqtarët si Salih Mekaj, Florent Latifi, Qerim Ademaj e Armend Berisha.

E kanë ditur se në mos sot, nesër do të përfundojnë para drejtësisë, siç po i ndodh Adem Grabovcit. E kanë ditur se u duhen njerëz të drejtësisë për t’ju shërbyer në momentet më të vështira.

Rasti i fundit kur drejtësia u dëshmua se është në shërbim të krimit, është aktvendimi i Gjykatës së Apelit lidhur me kërkesën e Adem Grabovcit për ndalimin e publikimit të përgjimeve të Adem Grabovcit dhe krerëve tjerë të drejtësisë.

Trupi gjykues i Gjykatës së Apelit i përbërë nga Fejzullah Rexhepi – kryetar dhe Ramë Hyseni e Qerim Ademaj – anëtarë, i ka dhënë udhëzime të qarta Adem Grabovcit se çfarë duhet të bëjë për të fituar në betejën me Insajderin. Vetëm sa nuk i ka thënë: ndërmerri këto veprime,na lë neve dhe do t’ua tregojmë qefin atyre që guxojnë t’i publikojnë bisedat tua.

Ky është krim në drejtësi.

Asnjëherë deri sot nuk ka ndodhur që Gjykata të udhëzojë paditësin që të sjell prova për të vendosur kundër të paditurit. Barra e provës bije mbi paditësin. Këtë e dinë edhe gjyqtarët që kanë vendosur. Këtë parim do ta aplikonin edhe në rastin e Insajderit, sikur të ishin të pavarur prej Adem Grabovcit.

Por, jo!. Ata vendosen ndryshe sepse janë të varur.

Secili avokat do të donte të kishte një rast kaq të madh sa është ai kundër Grabovcit. Këtë po e përjeton avokati Florent Latifaj. Për të dalë fitimtar në këtë proces, ai shfrytëzoi njohjet dhe loboi tek kolegët e tij të Apelit për të marrë një vendim të favorshëm për të.

Kështu bëri Gjykata.

Latifajn e njoh personalisht prej kohës kur ka punuar si gjyqtar. Dukej gjyqtar i mirë e me të ardhme. Mosha e re i jepte imazh edhe më të mirë. U pata befasuar se pse dha dorëheqje nga Gjykata Themelore e Prishtinës, derisa kuptova arsyen.

Duke qenë anëtar i trupit gjykues, Latifaj në dy raste ishte takuar me të akuzuar që do t’i gjykonte. Njëri prej tyre është me ndikim në Kosovë, shoqëri e drejtësi. Tjetri një ordiner i rrezikshëm.

Prokurorët e morën vesh për këto takime dhe e ftuan Latifajn të sqarojë arsyet e takimeve me të akuzuar, kur dihet se takimet e tilla janë të ndaluara me Ligj dhe Kod të Etikës.

Në atë takim, njëri prokuror i vuri dorën në krah Latifajt dhe i tha: “mos u tut se nuk shkon në burg”.

Vendosi që ta falte për këto shkelje. Por, ai nuk mundi të vazhdojë të punojë si gjyqtar.

Latifaj, u zu ngushtë: “Nga ky moment unë jap dorëheqje nga pozita e gjyqtarit”, tha ai.

Për pak kohë Latifaj u bë yll si avokat. Mori ta përfaqësojë “një peshk të madh” në procedurë penale të hetimeve kundër tij dhe në procedurë civile kundër Insajderit.

Në rastin kundër Insajderit dështoi në shkallën e parë. Por, në të dytën fitoi pjesërisht. Në kolegjin e shkallës së dytë, qëlloi të caktohet si anëtar i kolegjit një gjyqtar – mik i mikut të tij të ngushtë – Qerim Ademaj. Para se të emërohej në Gjykatën e Apelit, Ademaj ka punuar në Gjykatën e Pejës si gjyqtar së bashku me mikun e Grabovcit, Armend Berishën. Berisha – miku i Grabovcit, së voni u bë anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ademaj e Berisha, pos kolegë, janë edhe miq të ngushtë.

Klienti i Latifajt, po dëshmon se ka fuqi dhe kontroll të njëjtë siç kishte në kohën sa ishte “shef i shefave”. Këtë po e shfrytëzon. Po i shfrytëzon të gjitha mjetet që ka në dispozicion, pasi iu shteren tjerat.

Këtë po e bën, pasi ai dhe anëtarët tjerë nuk na ndalen kur na kërcënuan. Nuk na ndalën as kur u përpoqën të na shantazhojnë. Nuk na ndalen as kur atëherë kur na dërguan një ish-ministër për të kërkuar një takim sekret me Grabovcin dhe për të arritur një marrëveshje.

“Është koha me keshirat” – tha sekseri. Ne, natyrisht se nuk pranuam. E, si pasojë nxirret një aktvendim si ky i Gjykatës së Apelit. Sepse e vetmja mënyrë për të na ndalur, i ka mbetur gjyqësori i kontrolluar prej tij.