Përgojimi dhe shkelja e konfidencialitetit si njëra nga “arritjet” kryesore të kryeministrit në ikje

Shkruan: Adri Nurellari

Përgojimi dhe shkelja e konfidencialitetit si njëra nga “arritjet” kryesore të kryeministrit në ikje

Një ndër gjërat më të spikatura të sjelljes së kryeministrit Kurti gjatë qeverisjes së tij, por akoma më zëshëm gjatë seancës së votëbesimit që i dha fund qeverisë së tij, ka qenë shkelja haptazi e etikës së konfidencialitetit. Ai dendur është parë që ka përfolur në detaje komunikimet private me liderë apo partnerë e madje me zellin për të përgojuar gjithçka e gjithkënd gjatë seancës shkoi deri tek shkelja e ligjit të ruajtjes së sekretit shtetëror. Gjatë seancës së sipërmendur, kryministri në largim përfoli informacione të hollësishme nga mbledhja e datës 17 mars të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, gjë që përbën një shkelje ligjore.

Këshilli i Sigurisë është një institucion nevralgjik i sigurisë së shtetit që trajton shpesh tema sekrete, informacione të klasifikuara e prandaj funksionon në nivelin më të lartë të konfidencialitetit. Neni 11 i ligjit Nr. 03/L-050 Për Themelimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës shprehet qartë se të gjithë anëtarët dhe ish anëtarët e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, përfshirë anëtarët e Sekretariatit dhe Qendrës për Komunikim kanë përgjegjësi individuale ligjore për dekonspirimin e informacioneve prej këtyre mbledhjeve.

Madje ajo që është më absurde, kryeministri i shkarkuar Kurti disa herë gjatë seancës bëri thirrje që të bëhej publike transkripti i mbledhjes. Mandej kur nuk ia dhanë, me sa duket për ta shmangur turpin e një kryeminstri që në transmetim drejtpërdrejt të nxirrte sekrete shtetërore, ai tha që shteti është i kapur. Me sa duket ose kryeminstri i shkarkuar Kurti është i paditur për sa i përket ligjeve dhe përgjegjësive që ai ka si anëtar i Këshillit të Sigurisë për të mos spiunuar, ose është tërësisht i papërgjegjshëm dhe nuk e ka për gjë që të shkeli haptazi ligjin e të nxjerri në publik informacione që janë të klasifikuara.

Ngjashëm me këtë veprim të shkeljes së konfidencialitet, Kurti gjatë seancës përgojoi shumë herë edhe fragmente nga biseda personale me ambasadorin amerikan Richard Grenell e të tjera figura, gjë që përbën një shkelje të rëndë të etikës profesionale të konfidencialitetit që kërkohet në këto raste prej liderëve serioz. Me sa duket ish kryeministri Kurti e ka ves shkeljen e parimin të konfidencialitetit përderisa u bë gaz i botës në konferencën më të rëndësishme ndërkombëtare të sigurisë në Mynih kur bëri publike një video nga takimi me dyer të mbyllura, duke shkelur kështu rregullat bazike diplomatike “Chatham House”

Këto rregulla e kanë origjinën tek parimi i mbledhjeve të Institutit Mbretëror të çështjeve Ndërkombëtare në Londër (RIIA) që thotë se : “Nëe një takim ose një pjesë e tij, që mbahet bazuar në Rregullën Chatham House, pjesëmarrësit janë të lirë të përdorin informacionin e marrë, por nuk mund të zbulojnë identitetin dhe as përkatësinë e folësave apo pjesëmarrësve të pranishëm.” Pra temat, këndvështrimet apo idetë e diskutuara mund të përmenden por pa iu atribuar individëve specifik.

Nëpërmjet garantimit të konfidencalitetit, Rregulla e Chatham House inkurajon të pranishim që të tregohen më të hapur, të shprehin mendimet e tyre në mënyrë më të sinqertë e të ndershme dhe të tregojnë opinionin e tyre personal e jo detyrimisht të institucionit apo organizatës ku janë pjesë. Pra idea është të krijohet një lloj “oazi të sigurtë” në të cilën njerëzit mund të jenë vetëvetja e mos të të shqetësohen për reputacionin e tyre apo për përgojimin e tyre. Penaliteti për gazetarët që thyejnë këtë rregull në RIIA është që “nëse një gazetar thyen Rregullën e Chatham House, as ai as ndonjë gazetar tjetër prej medias së këtij gazetari, nuk do të pranohet më në takimet e ardhshme. Vetëm mund të imagjinohet se sa e ulët e joserioze konsiderohet tek profesionistët nëse këto rregulla i shkel një kryeministër, sikurse bëri Kurti në Mynih, dhe çfarë nami të keq i jep ai vendit që përfaqëson.

Në të njëjtën stil të shkeljes së parimeve të konfidencialitetit dhe të përgojimit të bisedave të bëra në konfidencialitet, ai u dëgjua në seancë duke përmendur 3-4 herë bisedat e tij me presidentin. Madje përshkroi me hollësi se si presidenti i kërkoi të shkojnë bashkë në Amerikë për ta “hequr qafe Serbinë”. “Spiunimet” e bisedave e komunikimeve të bëra me dyer të mbyllura kryeministri në largim nuk i ka vetëm për takimet me presidentin, por edhe për takime të tjera sikurse ka qënë zbulimi i hollësive të bisedimeve për formimin e koalcionit me LDK apo bisedave të dikurshme në kuadër të VLAN. Këto veprime të thashethemeve mbi takimet e bëra tregojnë një papjekuri të skajshme sepse vendosin në pikëpyetje besueshmërinë e tij për të ndërvepruar, komunikuar e bashkëpunuar me aktorë e faktorë politik Po ashtu tregon edhe paaftësinë për të punuar në mënyrë profesionale me partnerë brenda e jashtë vendit apo me bartës të institucioneve shtetërore.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se qeverisja transparente ndaj publikut dhe e drejta e qytetarëve për të pasur qasje të lirë në informacion, janë në themel të sistemit demokratik, mirëpo prapëseprapë, ka disa rrethana specifike kur shtetit dhe liderëve politikë apo zyrtarëve të lartë të vendit iu duhet edhe të mbajnë sekrete. Pra ka disa kategori rrethanash të posaçme ku sekreti apo konfidencialiteti janë të sanksionuara me ligj dhe pjesë praktike edhe në qeveritë më demokratike të botës. Së pari që ka të bëjnë me ruajtjen e interesave themelore të shtetit pra që ka të bëj me tema si mbrojtja, siguria, shërbimi diplomatik apo shërbimi informativ. Jo rastësisht Këshilli i Sigurisë e ka të sanksionuar me ligj klasifikimin dhe ruajtjen e konfidencialitetit të mbledhjeve.

Po ashtu ka të bëj me proceset e vendim-marrjes, ku liderët me njëri tjetrin duhet të kenë një hapësirë intime ku mund të transmetojnë shpenguar drejtpërdrejtë idetë, bindjet, qëndrimet, apo divergjencat e tyre sinqerisht pa u kujdesur që të jenë politikisht korrekt apo të pëlqyer para opinionit publik. Kjo vlen veçanërisht për negociatat e të gjitha llojeve, ku të përfshirët nuk do donin që të loznin me letrat çelur. Asnjë negociator nuk do të donte që të merret vesh paraprakisht se çfarë lëshimesh apo tolerimesh janë të gatshëm të bëjnë pa u siguruar që kanë marrë së paku një gjë ngjashmërisht të vlefshme në këmbim.

Parimi i konfidencialitetit të vendimmarrjes më së shumti e kanë debatuar dhe mbrojtur si praktikë në vendlindjen e liberal demokracisë të bazuar tek sistemi parlamentar, në Britaninë e Madhe. Aty ka të bëj me lidhjen e ngushtë mes të ashtuquajturës përgjegjësi kolektive të kabinetit qeveritar dhe konfidencialiteti që i mundëson ministrave që të transmetojnë lirshëm dallimet e tyre dhe të debatojnë për gamën e plotë të politikave, ligjeve dhe veprimeve gjë që nuk do ta bënin nëse do ishin para mediave. Së fundmi ka të bëjë edhe me mbrojtjen e intimitetit të individëve të përfshirë sepse shpesh informacionet zyrtare që mund të dalin nga institucione shtetërore mund të cënojnë apo lëndojnë individë specifik.

Në marrëdhënie ndërkombëtare e diplomaci sekreti dhe konfidencialitit janë akomë më të rëndësishme sepse ka të bëj me interesa që mund të përplasen me shtetesh të ndryshme dhe zbulimi i një informacioni i jep shteteve jodashamire. Kjo është arsyeja pse janë krijuar norma ligjore e praktika të konsoliduara ndërkombëtare për sa i përket sekretit në diplomaci. Në krye të tyre qëndron padyshim Konventa e Vjenës e 1961 për Marrëdhëniet Diplomatike e cila ka dispozita të qarta për këtë çështje. Konfidencialiteti pra në rrjedhën e shumë shekujve është bërë pjesë kyçe e ndërveprimit diplomatik.

Me pak fjalë nevoja për sekret e konfidencialitet në raste specifike, gjatë ushtrimit të detyrës, është pjesë thelbësore e të qenurit burrështetas qoftë për çështje të sigurisë, qoftë për procese të vendim-marrjes (për shembull në diskutimet që bëhen për një ujdi apo vendim kolegjial) e qoftë për çështje të politikës së jashtme apo marrëdhënieve diplomatike sikurse qe rasti i Grenellit. Po ashtu thashethemi konsiderohet si ves njerëzor i papëlqyeshëm qoftë në traditën shqiptare e qoftë në fetë monoteiste të cilat madje përgojimin apo gibetin e konsiderojnë mëkat. Prandaj përveçse do të mbahet mend për jetëshkrutësinë, paaftësinë në qeverisje dhe patetizmin e deklaratave, kryeministri në ikje medoemos ka për t’u mbajtur mend edhe për numrin më të madh të thashethemeve e përgojimeve të bisedave konfidenciale.