Përkthimi skandaloz i raportit për Deharin – Njohësit e frëngjishtes thonë se me përkthim u munduan ta zbusin krimin

Përkthimi skandaloz i raportit për Deharin – Njohësit e frëngjishtes thonë se me përkthim u munduan ta zbusin krimin

Përkthimi i raportit zviceran të ekspertizës mjeko-ligjore ndaj rastit të vdekjes së Astrit Deharit ka nxitur jo pak kritika publike për pasaktësi dhe sakatim të gjuhës shqipe.

Njohësit e gjuhës frënge, të cilët kanë pasur qasje në përmbajtjen e raportit pasi u publikua mbrëmë, kanë ngritur kritika publike rreth përkthimit dhe përshtatjes së dokumentit të cilat shkojnë deri në fajësim për shtrembërim të përmbajtjes së tij.

Një analizë gjuhësore, përmbajtjes së konkluzave të raportit ia ka bërë edhe ish përfaqësuesi politik i UÇK-së, njohës i gjuhës frënge, Bardhyl Mahmuti i cili ka shkuar më tutje duke thënë se autoritetet e Kosovës nëpërmjet përkthimit u munduan siç thekson ai ta “zbusin” krimin monstruoz. Ai ka bërë një sqarim të plotë rreth versionit të përkthyer dhe të atij, që sipas tij, do të duhej të ishte.

Dallimet në konkluzionet e Raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës në Zvicër të përkthyera nga Prokuroria e Kosovës:

Konkluzioni 1.

Versioni i përkthyer nga prokuroria:

1. Ashtu siç është thënë në ekspertizën tonë El180001, ne kemi dyshime që lidhen me rrethanat e vdekjes së z. DEHARI Astrit. Në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. DEHARI Astrit përmes mjete të caktuara nga mjekët ligjor duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në proces fatal duhet të kihet parasysh.

Përkthimi im:

1. Siç është theksuar në ekspertizën tonë EI180001 ne kemi dyshime sa i përket rrethanave të vdekjes së Z. Astrit Dehari. Në të vërtetë, hipoteza e vetëvrasjes së Z. Astrit Deharit me mjetet që thonë mjekët ligjorë është pak e besueshme dhe ndërhyrja e një personi tjetër në procesin fatal duhet të përmendet.

Në konkluzionin e parë përkthimi është bërë me qëllim që t’i krijojë përshtypjen se gjoja ekspertët zviceran e lënë si diçka subjektive prezencën e personit “të tretë” që “duhet ta kemi parasysh”.

Realisht ekspertiza vjen te konkluzioni se ndërhyrja e personit tjetër duhet të përmendet, që do të thotë se ai objektivisht ka qenë prezent. Me një fjalë, “përmendet” vetëm ajo që ekziston objektivisht, ndërsa mund të kemi parasysh edhe ato që personat mund të mendojnë subjektivisht.

Konkluzioni i dytë:
Versioni i përkthyer nga prokuroria:

Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të vejnë në dritë një profil të ADN-së mbi mostrën e përshkruar nga ekspertët e Kosovës siç thuhet se përmbanë pak ose shumë pak ADN.

Përkthim me një sintaksë jo shqipe që krijon konfuzion.

Përkthimi im:|
Analizat e ADN-së të kryera në laboratorët tona kanë mundësuar të nxjerrin në pah një profil të ADN-së në një mostër, të cilën ekspertët e Kosovës e përshkruajnë sikur të përmbante pak ose fare ADN.

Pra ekspertët e Kosovës e kanë përshkruar se gjoja mostra paska përmbajtur pak ose aspak ADN, ndërsa përkthimi përpiqet të fsheh qëndrimet e ekspertëve kosovarë duke ndryshuar fjalën “aspak” me atë “shumë pak”!!!

Sidoqoftë, konkluzioni në gjuhën frënge është iqartë: Ekspertët zviceran kanë zbuluar ADN e një personi tjetër që ka marrë pjesë në vrasjen e Astritit.

Përkthyesi nga versioni frëngjisht në shqip i Raportit të ekspertizës mjeko- ligjore për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, është bërë nga Ismail Ismaili i cili prezantohet si përthyes, interpret gjyqësor i autorizuar nga Gjykata e Qarkut në Gjilan. Selia e kompanisë së përkthimeve «Prestige» është në Prishtinë./Sinjal