fbpx

Përkujtohet në njëvjetorin e vdekjes poeti Basri Çapriqi

Përkujtohet në njëvjetorin e vdekjes poeti Basri Çapriqi

Sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, PEN Qendra e Kosovës organizoi homazh poetik në shenjë të njëvjetorit të ikjes në amshim të poetit brilant dhe profesorit tonë të rëndësishëm, Basri Çapriqi.

Në homazhin e organizuar u lexuan pjesë nga proza dhe poezia e autorit prej aktorëve profesionist Teuta Krasniqi, Rozi Kryeziu, Shpëtim Selmani dhe Faris Berisha si dhe poezi  kushtuar Çapriqit nga Milazim Krasniqi e Sali Bashota.

Në shënimin e këtij përvjetori morën pjesë familjarë, miq dhe kolegë të të ndjerit.

Image result for Basri Çapriqi

“Shkrimtari rron aq sa kujtohet nga të tjerët. Mosha biologjike është pakrahasimisht e vogël përballë kohës që shkrimtari mund të qëndrojë në kujtesën e njerëzve dhe lexuesve të tij. Takim i veprës së tij me lexues që nuk janë të moshës së tij biologjike, veçmas me lexues që do të lindin pas vdekjes së tij biologjike është takim i vërtetë. Vetëm atëherë vepra e një shkrimtari bën jetën e saj të njëmendtë. Kështu që, ndajmë bindjen tonë të plotë se vepra poetike e Basri Çapriqit do ta arrijë këtë takim të shumëdashur për secilin krijues dhe do të jetë në duart dhe në mendjen e lexuesve që janë sot dhe do të vijnë nesër.” (Koha ditore, 20. 01. 2018, f. 21).

KËNGË FATI

Koka
Dy duar për një kokë
sa shumë duar
sa pak kokë!

KUAJT E GOJËS

Në lojën e madhe të jetës
qetë kanë tërhequr parmendën
tagjinë
e kanë ngrënë kuajt
njerëzit
gjithnjë e më tepër kanë hyrë në hak
duke nxjerrë bukën për vete
tash kanë ndryshuar kohët
kanë mbetur vetëm kuajt
si pikturat e Gojës
qetë nuk çojnë hesap
në shekullin tjetër
e njerëzit
njerëzit si njerëzit
si qetë
si kuajt

UBLA E KRAJËS

Ubla e Krajës
u çel për 1001 ditë
në vitin 1001
toka e ka ruajtur
damarin e burimit 1001 vjet
Ubla e Krajës është e thellë
ujin e ka të freskët
nivelin e ka të ruajtur
kur bënte thatësirë në Krajë
1001 ublat e Krajës
nuk ia shuanin etjen
shirat e vjeshtës ia kthenin nivelin
pranë Ublës së vjetër
u ngrit kisha e Shën Mërisë
që të marrë freskinë e ujit
e të bëhet e freskët…
si uji i Ublës së Krajës
kur bënte thatësirë në Krajë
kur kishës i qepej zjarri
1001 ublat e Krajës s’ia shuanin etjen
Ublës së vjetër
edhe sot e gjithë ditën
krajanët mbushin ujë në Ublën e vjetër
1001 mjeshtër
s’e ngrehin dot të papërlyerën e Krajës
Ubla e Krajës ka njomur 1001 thatësira