Përpjekja e Hoxhajt për të mashtruar shqiptarët e Luginës së Preshevës

Përpjekja e Hoxhajt për të mashtruar shqiptarët e Luginës së Preshevës

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ishte i pari që ia kishte bërë “sefte” premtimeve zgjedhore. Premtimet e tij, ai i ka zgjeruar edhe jashtë territorit të Kosovës.

Hoxhaj ka njoftuar sot se ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi. Ai ka vazhduar përpjekjet e tij për të mashtruar shqiptarët se do të angazhohet që preshevarët t’i pajisë me pasaporta të Kosovës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Hoxhaj ka shkruar se Qeveria e re e udhëhequr nga PDK do të luftojë me të gjitha rrugët diplomatike fushatat e egra të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Me kryetarin e Preshevës, mikun tim Shqiprim Arifi, diskutuam për çështjen e Luginës së Preshevës dhe sfidat me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë atje. Qeveria e re e udhëhequr nga PDK do të luftojë me të gjitha rrugët diplomatike fushatat e egra të Serbisë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përfshirë atë të fshirjes së adresave. PDK do të angazhohet edhe për lehtësimin e procedurave të pajisjes me pasaporta të Kosovës për shqiptarët e Luginës për ta kultivuar një lidhje edhe më të fortë me Kosovën”, ka shkruar Hoxhaj. /Insajderi.com