Përplasen në Kuvend Ilir Kërçeli dhe Arben Gashi, Konjufca thotë se “pati mësymje fizike”

Përplasen në Kuvend Ilir Kërçeli dhe Arben Gashi, Konjufca thotë se “pati mësymje fizike”

Ka dështuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pas përplasjes mes Ilir Kërçelit i cili është kryetar i kabinetit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe shefit të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Konjufca në një konferencë për media tha se në mbledhje ka pasur ofendime nga Gashi drejtuar Kërçelit, raporton Shqip.com.

“Pat mësymje pat edhe sharje- shprehje që nuk mund t’i përmedi”, tha Konjufca.

Në anën tjetër, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se mbledhja dështoi për shkak të prezencës së Kërçelit.

Shef i GP të LDK-së, Arben Gashi

“Mbledhja dështoi për shkak se kryetari i Kuvendit e kishte marrë me vete edhe shefin e kabinetit i cili ka bërë shkelje të detyrave të tij. Ne kërkuam që ai të mos ishte prezent. Kryetari nuk pranoi të largohet dhe mbledhja dështoi. Kryetari i kabinetit përveçse ka thënë të pavërteta, ka përdorur të vërteta të pjesshme duke tentuar të denigroj deputet të caktuar”, tha Gashi.

Ndërsa, mohoi që ka pasur sulm fizik.

“Ai tha që nuk e ka bërë shkrimin për mua dhe se nuk është drejtuar ndaj meje. Unë i thashë se duhet të dalë dhe ta sqaroj publikisht që nuk e ka pas me mua. As nuk e kam prek me dorë.”- tha Gashi.

Ilir Kërçeli nëpërmjet disa statuseve në Facebook, kishte publikuar shifra të deputetëve të tjerë rreth shpenzimeve të karburanteve.

Ilir Kërçeli

“Ka deputetë të cilët kanë shpenzuar mbi 25,000 euro për derivate, pa dashur paragjykuar se a jetojnë në Prishtinë apo jo, më mirë e dinë qytetarët. Dhe kanë hequr dorë nga këto beneficione tek këto ditë kur është bërë kjo temë”, është shprehur Kërçeli nër Facebook.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët udhëtojnë për të marrë pjesë në seancat dhe komisionet funksionale në Prishtinë kompensohen me mjete financiare për shpenzimet e karburantit.

Mirëpo, praktika e tillë e kompensimit po kritikohet nga qytetarët të cilët e shohin të paarsyeshme marrjen e këtyre kompensimeve ngase “deputetët kanë paga të larta”.

Vendimi mbi kompensimin e deputetëve daton nga 10 tetori 2011 dhe parashihet që të kompensohen deputetët të cilët marrin pjesë në punimet e seancës dhe komisionet e caktuara ku deri në 30 kilometra udhëtim kompensohen me 10 euro, pastaj deri në 60 kilometra me 20 euro si dhe mbi 60 kilometra me 30 euro./Insajderi.com