Përplasje midis Muratit dhe Mustafës: Duhet guxim i hatashëm që policia t’i gjejë valixhet me para në Ministri

Përplasje midis Muratit dhe Mustafës: Duhet guxim i hatashëm që policia t’i gjejë valixhet me para në Ministri

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka replikuar deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i cili e kritikoi atë për mungesë të guximit, duke përdorur gjuhë të ashpër ndaj tij, njofton Insajderi.

Murati tha se po keqkuptohet buxheti. Ai tha se duhet pasur guxim të hatashëm që policia të gjejë valixhe me para në Ministrinë që Mustafa ka drejtuar.

“Duhet guxim i hatëshëm për me shkelë ligjin për menaxhimin e financave publike kur për ni alokim që e ke 12 milionë euro shkon edhe nënshkruan vendimin për 22 milionë euro. Duhet me të vërtetë me pasë guxim të hatashëm që brenda Ministrisë me t’u gjet kofera me pare prej policisë. Duhet guxim i hatashëm. Këtë ta pranoj, këtë guxim ne nuk e kemi”, ka thënë Murati.

Për këtë pati replikë edhe nga Mustafa, i cili tha se ato para nuk janë gjetur tek ai, por i janë gjetur zyrtarëve të ministrisë, të cilët sipas tj, ishin anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ministër, në Kuvend debatohet dhe në fund sugjerimet i merr parasysh dhe reflekton. Arrogancën, akuzat dhe rrenat nuk mund t’i sjellësh në Kuvend. Në ato keqpërdorime që kanë ndodhur në Ministrinë e Bujqësisë ato para nuk më janë gjetur mua, nëse më janë gjetur sjelli faktet këtu për qytetarët e Kosovës. Ato para i janë gjetur zyrtarëve të Ministrisë dhe unë kam bashkëpunuar me policinë dhe Prokurorin e Shtetit që ata zyrtarë të shkojnë ku e kanë vendin – në burg. Të gjithë e dinë se anëtarë të cilës parti kanë qenë ata zyrtarë”.

“Ministër kur rren një qytetar i thjeshtë është marre, por kur thotë një ministër të pavërteta, sepse s’po mundem me të thënë që rren se je ministër, është e papranueshme dhe e tmerrshme”, ka thënë Mustafa. /Insajderi.com