Personat që kanë kaluar COVID-19, po riinfektohen – ndër ta edhe profesionistë shëndetësorë

Personat që kanë kaluar COVID-19, po riinfektohen – ndër ta edhe profesionistë shëndetësorë

Profesionistët shëndetësorë në vend po ndjehen të shqetësuar për riinfektimin me COVID-19 të pacientëve që kanë kaluar këtë sëmundje, transmeton Insajderi.

Ata thonë se tashmë kanë hospitalizuar për herë të dytë edhe mjekë të cilët aktualisht janë në trajtim.

Infektologu Ilir Tolaj, tha se riinfeksioni me COVID-19, si mundësi ekziston por në praktikë është një dukuri e rrallë.  Ai shtoi se studimet po tregojnë që imuniteti kundër COVID-19 është i qëndrueshëm dhe zgjat me vite.

“Në Kosovë jo vetëm popullata por edhe mjekët e kanë ngritur një shqetësim që numri i të riinfektuarve është i lartë, por Kosova nuk ka asgjë ndryshe nga pjesa tjetër e botës dhe ajo që e dallon është popullata e re dhe që ka një imunitet më të madh të mbrojtjes së riinfeksionit. Riinfektimi mund të them se është i rrallë”, thotë ai.

Rukije Mehmeti, pulmologe i tha Radio Kosovës se vetëm në klinikën pulmologjike në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, aktualisht janë dy mjekë, të cilët janë në trajtim nga riinfektimi.

“Shumica e rasteve po e kalojnë më lehtë riinfektimin. Ne në klinikë i kemi dy doktorë që janë riinfektu për herën e dytë. Janë raste më të rralla, por po paraqiten individë të caktuar. Edhe në Klinikën Infektive ka raste që janë duke u trajtuar. Kjo është sëmundje që është e rëndësishme edhe kodi gjenetik. Disa e kalojnë shumë më lehtë disa më vështirë. Pra varet edhe virulence, por edhe të tjerë faktorë”, tha Mehmeti. /Insajderi.com