Personi që njoftoi për vendndodhjen e al-Baghdadit pritet t’i fitojë milionat

Personi që njoftoi për vendndodhjen e al-Baghdadit pritet t’i fitojë milionat

Gazeta “Washington Post” ka raportuar se personi që ofroi të dhëna thelbësore për vendndodhjen e liderit të ISIS-it, i cili u vra nga forcat speciale amerikane, pritet ta marrë një pjesë apo tërë shpërblimin e premtuar prej 25 milionë dollarësh nga qeveria amerikane.

Sipas kësaj gazete, njoftuesi ishte një pjesëtar i rrethit të ngushtë të ISIS-it, i cili kishte për detyrë t’i lehtësonte lëvizjet e liderit të këtij grupi nëpër Siri dhe kishte dhënë ndihmë për ndërtimin e vendit ku ishte fshehur al-Baghdadi për herë të fundit.

Raportohet se ky person ishte i pranishëm në kohën kur forcat speciale amerikane e ndoqën nëpër tunel kreun e ISIS-it, me ç’rast ai e shpërtheu një bombë që e kishte vendosur në trup, duke e vrarë veten dhe tre fëmijët e tij, transmeton Gazeta Express shkrimin e France24.

Ai ishte i informuar mirë për të gjitha dhomat e vendit ku fshihej njëri ndër personat më të kërkuar në botë. Besohet se personi që e dha informatën e rëndësishme është një arab që doli kundër ISIS-it pasi grupi ia kishte vrarë një person të afërt.

Besohet që ky person krijoi kontakte me forcat amerikane përmes kurdëve. Para se të realizohej operacioni për kapjen e liderit të ISIS-it, informuesi ishte testuar për disa javë rreth besueshmërisë dhe saktësisë së të dhënave.