Pesë ditë para ndeshjes me Kosovën, Turan pensionohet nga kombëtarja

Pesë ditë para ndeshjes me Kosovën, Turan pensionohet nga kombëtarja

Arda Turan i ka dhënë fund karrierës së tij me kombëtaren turke të futbollit, pas vendimit të federatës turke që futbollisti të mos luante ndaj Kosovës, më 11 qershor.

Turan u përjashtua nga skuadra pasi kishte sulmuar një gazetar sportiv për shkak të disa publikimeve që kishte bërë ky i fundit.

Në një konferencë të shkurtër për media, Turan ka thënë se pas vendimit që të mos luajë ndaj Kosovës në kualifikimet për Botëror, ka ardhur koha që t’i japë fund karrierës për fanellën e Turqisë.

“I jap fund karrierës sime për ekipin kombëtar. Shpresoj që kombëtarja të ketë sukses. Bisedova me ekipin dhe presidentin e federatës dhe vendosën që të mos jem pjesë e ndeshjes ndaj Kosovës. Ishte e rëndë për mua dhe tani mendoj se është koha që të ndahem nga karriera ime për fanellën kombëtare”, ka thënë ai. /Insajderi.com