Petkoviq i reagon Osmanit për “non-paperin”

Petkoviq i reagon Osmanit për “non-paperin”

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila një ditë më parë duke komentuar “non-paperi”-n e publikuar të hënën në media në të cilin flitet për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, tha se “çdo ide që për qëllim ka destabilizimin e vendit, burimin e ka në Beograd”, transmeton Insajderi.

Në një njoftim për shtyp, Petkoviq ka deklaruar se nga Prishtina po përpiqen t’ia atribuojnë “non-paper“-in e fundit Beogradit.

Ai tha gjithashtu se kjo është “vetëm një përpjekje perfide për të mbuluar autorin e saj të vërtetë”.

“Më mirë do të ishte që Prishtina të përgatitej më mirë për dialog, e Albin Kurti gjatë takimeve të sotme në Bruksel, të sillej në frymën e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin, se sa të shpenzojnë energjinë në lajme të rreme. Beogradi mbetët i vendosur që dialogu është e vetmja rrugë për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme dhe të qëndrueshme”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë./Insajderi.com