Petkoviq: Kurti e destabilizon gjithë rajonin me ekstremizëm

Petkoviq: Kurti e destabilizon gjithë rajonin me ekstremizëm

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë”, Petar Petkoviq, ka thënë se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me vizitën e djeshme në Veri të Mitrovicës, është përpjekur të provokonte e të merrte vëmendjen e elektoratit shqiptar, por që plani i tij dështoi, transmeton Insajderi.

Në një intervistë për mediumin serb “Tanjug”, Petkoviq thotë se populli serb me një protest paqësore i ka treguar atij qartë se çfarë nuk i takon atij.

“Plani i Kurtit dështoi në momentin kur populli serb, me një protestë paqësore, e tregoi qartë se çfarë nuk i takon atij”, tha Petkoviq.

Sipas tij serbët në veri edhe një herë kanë treguar se nuk pajtohen me “ekstremizmin e Kurtit”.

“Me këtë agresion, Kurti destabilizon vazhdimisht, jo vetëm provincën tonë jugore, por të gjithë rajonin. Sepse çfarë tjetër përveç ekstremizmit është kjo e fundit nga Kurti, pas një serie kërcënimesh rreth një referendumi për krijimin e një Shqipërie të Madhe, duke bërë thirrje, siç thotë ai, për Luftë të Tretë Ballkanike”, është shprehur tutje Petkoviq.

“Kosova dhe Metohija është shtëpia e të dy palëve, serbëve dhe shqiptarëve, dhe ajo është dhe mbetet shtëpia shpirtërore e të gjithë popullit serb”.

Ai u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhjet parlamentare në Kosovë që “të mos luajnë me ndjenjat kombëtare”.

“Incidentet e veprimeve të liderëve politikë shqiptarë që marrin pjesë me vetëdije në konkurrencën ekstremiste, nga përpjekja e Kurtit për të marshuar në veri, deri tek vendosja e tabelave parazgjedhore me imazhin e Ramush Haradinajt në hyrje të Parteshit dhe vendeve të tjera serbe, janë më shumë se arsye e mjaftueshme për përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe organizatave ndërkombëtare në terren që të reagojnë më urgjentisht”, tha Petkoviq. /Insajderi.com