Pezullohet nga posti nënkryetari i partisë zvicrane për shkak të ngacmimeve seksuale

Pezullohet nga posti nënkryetari i partisë zvicrane për shkak të ngacmimeve seksuale

Deputeti në Parlamentin Nacional të Zvicrës, Yannick Buttet nga Kantoni Valis është pezulluar me vendim të menjehershëm nga pozita e tij e nënkryetarit të CVP/PDC (Partisë Demokristiane) të Zvicrës, njofton kjo parti në një komunikatë të publikuar sot. Sipas saj, ka qenë vetë Buttet ai që e ka kërkuar suspendimin pasi që ka njoftuar partinë se ndaj tij është iniciuar një procedurë penale.

Bazuar në raportimet e bëra në medie, Buttet ka ngacmuar seksualisht ish të dashurën e tij, por ka pasur edhe më parë dëshmi për sjelljen e tij të pahishme në raport me gratë, transmeton albinfo.ch. Ai ka dhënë për mediet frankofone të Zvicrës një deklaratë me shkrim ku thotë se është duke kaluar një krizë personale. Buttet pranon se nën ndikimin e alkoolit ka bërë veprime të padenja.

CVP/PDC në komunikatën e saj shkruan me këtë rast se janë të papranueshme të gjitha sulmet kundër integritetit të njerëzve tjerë.

Mediet zvicerane raportojnë se shkas konkret për këtë zhvillim është ngjarja e 18 nëntorit, kur deputeti nacional kishte shkaktuar një ndërhyrje policore në orën 2 të pas mesnatës. Ai kishte qëndruar para shtëpisë së ish të dashurës së tij në Sitten (Sion) dhe kishte cingërruar 20 herë në zilen e saj, transmeton albinfo.ch.

Gruaja në fjalë, e cila prej 18 muajsh kishte një lidhje jashtëmartesore me Buttet-in ka refuzuar t`ia hapte derën dhe nga frika, ka alarmuar policinë, shkruan “Le temps”. kur policët kanë ardhur në vendin e ngjarjes Buttet ka provuar të fshihej prej tyre në kopsht.