Planet e Murat Jasharit për vrasjen e figurave publike në Kosovë

Planet e Murat Jasharit për vrasjen e figurave publike në Kosovë

Murat Jashari dyshohet se kishte themeluar një grup për vrasje të figurave publike, përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Isa Mustafa, liderin e NISMA-s Fatmir Limaj dhe të tjerë.

Policia ka qenë në dijeni për themelimin e këtij grupi dhe planet për vrasje, megjithatë nuk ka arritur të parandalojë sulmin me armë zjarri mbi avokatin Azem Vllasi që është ish-funksionar i Kosovës në ish-Jugosllavi.

Policia pritet të arrestojë edhe persona të tjerë si të dyshuar për plane të vrasjeve nga Murat Jashari dhe të tjerët, raporton Insajderi.

Jashari edhe publikisht ka deklaruar se ka plane për vrasje të njerëzve.

Zotimi i Murat Jasharit për vrasjen e “tradhtarëve”

Akuzat për tradhti kundër ish-drejtuesve të lartë te UÇK-së, Jashari ka nisur t’i bëjë qysh para dy vitesh, duke drejtuar letra publike me nga 300 deri në 500 pyetje.

Gjatë intervistimit në polici të hënën, Jashari e ka pranuar se ka provuar ta vrasë Azem Vllasin dhe është arsyetuar se këtë e ka bërë për shkak të veprimeve siç ka thënë ai kundër çështjes shqiptare në kohën sa ka shërbyer në pozitat e larta shtetërore në Krahinën Autonome të Kosovës të ish-Jugosllavisë.

Policia nuk ka dashur të flasë për detaje rreth planeve për vrasje nga Murat Jashari me arsyetimin se rasti është nën hetim. /Insajderi.com