fbpx

Plani për Brexit pa marrëveshje rrezikon mungesë të ushqimeve

Planet e Qeverisë britanike për largim nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, tregojnë vështirësi të mundshme në sigurimin e ilaçeve dhe një sasie të udhqimit të freskët si dhe paralajmërojnë mundësine e organizimit të protestave në këtë shtet.

Plani për Brexit pa marrëveshje rrezikon mungesë të ushqimeve

Dokumenti i publikuar të mërkurën mbrëma është thënë të jetë hartuar më 2 gusht, nëntë ditë pasi Boris Johnson ka fituar pozitën e kryeministrit dhe ka krijuar bazën e planeve në rastit të Brexitit pa marrëveshje.

Aty thuhet se sipas skenarit më të keq, bizneset mund të përballen me ulje të të hyrave për shkak të dilemave derisa të finalizohet Brexiti.

Shtetasit britanikë po ashtu mund të jenë subjekte të rritjes së kontrolleve në kufijtë në Bashkimin Evropian.

Përveç tjerash aty janë përmendur edhe problemet me furnizim me naftë si dhe është thënë se paniku i blerjes së tepërt mund të rezultojë me mungesa në disa pjesë të shtetit.

Ky dokument është publikuar për herë të parë në të përditshmen, Sunday Times më 18 gusht.

Michael Gove, ministri britanik i angazhuar për përgatitje në rast të Brexitit pa marrëveshje, ka thënë se këto paralajmërime janë të vjetra dhe nuk reflektojnë nivelin aktual të punës.

Partia Laburiste që është në opozitë ka thënë se dokumenti ka konfirmuar rreziqet e mëdha të Brexitit pa marrëveshje.

“Është absolutisht e papërgjegjshme që qeveria ka tentuar të injorojë këto paralajmërime dhe të parandalojë publikun që të mos shohë këto të dhëna”, ka thënë zëdhënësi i laburistëve për Brexit, Keir Starmer.

Vendimi për largim të Britanisë nga blloku evropian ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016./rel.