Plani i Policisë dhe Prokurorisë për zgjedhjet e 11 qershorit

Plani i Policisë dhe Prokurorisë për zgjedhjet e 11 qershorit

Me rastin e përgatitjeve të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, është organizuar Programi Orientues për Policinë e Kosovës dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sikurse në zgjedhjet e kaluara, edhe në këto parlamentare, pritet që të angazhohen një numër i madh i përfaqësuesve të organeve të drejtësisë.

Prokurorja, Laura Pula ka konfirmuar se në zgjedhjet e 11 qershorit pritet të jetë një numër i madh i prokurorëve të cilët do të angazhohen intensivisht për “mbrojtjen e votës”.

“Prokuroria ka ndërmarrë gjitha hapat për këto zgjedhje. Kemi të angazhuar 100 prokurore dhe numër të caktuar për të siguruar efikasitet për mbrojtje e votës së qytetarit”, ka thënë ajo.

Ajo theksoi se Policia e Kosovës dhe KQZ do të merren saktësisht me mbarëvajtjen dhe sigurinë e shtetit ndërsa Prokuroria për mbrojtjen e votës së qytetarit.

Ndërsa kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së  Enis Halimi, tha se një koordinim mes institucioneve relevante, do të rezultojë i suksesshëm.

“Ne e dimë dhe kemi qenë dëshmitarë që në të kaluarën kemi pasur telashe, që lidhen me procesin zgjedhor. Por kur është bërë një bashkërendim dhe koordinim në mes akterëve, që edhe sot jemi këtu, në fund ka rezultuar me një rezultat jashtëzakonisht të mirë dhe kemi pasur zgjedhje të cilat kanë qenë të cilësuara, si zgjedhje që kanë arritur standarde me të larta deri në atë kohë“, tha ai.

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, tha se Policia e Kosovës do të bëjë ç’është e mundur për zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve që të mundësojë qytetarëve ta shfrytëzojnë të drejtën për shprehje të lirë.

“Neutraliteti politik, në suaza të angazhimit gjatë procesit zgjedhor, i cili si i tillë ka ndikim të jashtëzakonshëm në shoqërinë tonë,  është dhe në favor të policisë së Kosovës. Për faktin se ndikon në prevensionin e shkeljeve të mundshme të individëve të ndryshëm, të cilët eventualisht vijnë në një situatë të tillë, që pretendojnë ta devijojnë ligjin. Neutraliteti i organizatës policore, duhet shpalosur me profesionalizëm të lartë“, tha ai.