Plazhet me qira, ja hapësira që do jetë publike

Plazhet me qira, ja hapësira që do jetë publike

Çdo vit sa herë nis sezoni veror ka një përplasje të vazhdueshme të pushuesve që duan hapësirën e plazhit publik dhe bizneseve që kanë marrë me qira këto plazhe dhe që “harrojnë” të parashikojnë këtë pjesë tek projektet e tyre.

Një rregullore e miratuar me një vendim të veçantë nga Këshilli i Ministrave parashikon që subjektet që lidhin kontrata me njësitë e qeverisjes vendore për të marrë me qira një hapësirë në plazh për një afat nga 1 deri në 5 vite duhet të respektojnë disa kritere. Kjo lidhet si me hapësirën minimale dhe maksimale që jepet me qira, kushtet që duhet të plotësojë stacioni i plazhit, lënien e hapësirave për pushuesit që duan plazh publik si dhe mirëmbajtën e bregut dhe pastrimin e tij.

Subjektet për këtë vit kanë afat që të lidhin kontratat e qirasë sipas rregullave me njësitë e vetëqeverisjes vendore deri në datë 20 prill.

Rregullorja përcakton kushtet minimale që duhet të plotësojë një stacion plazhi sipas kategorisë ku klasifikohet.

Për plazhet e tipit A që janë plazhe kryesisht me përbërje ranore dhe gjerësi të konsiderueshme të brezit të plazhit rregullorja parashikon që për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve të respektohet një distancë prej të paktën 7.5 metra nga vija e bregut të detit, liqenit, lumit. Po kështu hapësira prej 2.5 metra përpara brezit të parë të çadrave të jetë e lirë për t’u shfrytëzuar nga publiku. Së treti hapësira midis çadrave (nga çadra në çadër) nuk duhet të jetë më e vogël se 3 metra në linjë horizontale me vijën e ujit, si dhe jo më e vogël se 2.5 metra në linjë vertikale me vijën e ujit.

Stacioni i plazhit duhet të ketë në dispozicion të peshuesve një dush me ujë të ëmbël për çdo 100 çadra si dhe të jetë i pajisur me shërbimet higjienike, kabinat e zhveshjes zonën e ndihmës së shpejtë për pushuesit.

Në asnjë rast nuk mund të ndalohet apo të kufizohet, në asnjë formë dhe në asnjë kohë, kalimi i publikut në rrugët që lidhin rrugën publike me plazhin publik.

“Subjektet e veprimtarisë së stacionit të plazhit kanë detyrimin për të krijuar kushtet e kalimit lirisht të publikut dhe moscenimin në ndonjë formë të kësaj të drejte, si dhe sigurimin e kushteve të kalimit lirisht të personave me aftësi të kufizuar” thuhet në rregullore.

E njëjta cakton kushtet e sigurisë, ato për rojet e plazhit, për nivelin e zhurmave, për strukturat që mund të ngrihen në plazh dhe mundësitë për rinovimin e kontratës.