Pochettino: Nuk dola 10 ditë nga shtëpia, isha i shkatërruar

Pochettino: Nuk dola 10 ditë nga shtëpia, isha i shkatërruar

Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino e ka pranuar që ai nuk ishte larguar për 10 ditë nga shtëpia e tij pas humbjes në finale të Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit.

Klubi londinez u mposht 2:0 nga Liverpooli në Madrid gjatë muajit të kaluar, derisa ekipi i Pochettinos e mbylli ecurinë e tij me zemër të thyer.

“Po, ishte e vështirë. Ne kaluam tri javët më të pabesueshme duke i përgatitur para finales. Ne ishim tërësisht të zhgënjyer në mënyrën se si humbëm”, deklaroi Pochettino.

“Ishte shumë keq. Unë e krahasoj me verën e vitit 2002, kur barazuam me Suedinë dhe u mposhtëm nga Anglia në fazën e grupeve të Kupës së Botës, brenda një jave. Si lojtar dhe si trajner këto janë momentet më të këqija në karrierën time”, ka shtuar argjentinasi.

“Unë e mora trenin nga Madridi për Barcelonë ditën tjetër. I kalova 10 ditë në shtëpinë time dhe nuk doja të dilja jashtë. Po, ishte e vështirë sepse pothuajse e preka lavdinë”, u shpreh ai.