Poezi nga Martin Camaj

Poezi nga Martin Camaj

Martin Camaj është shkrimtar i njohur. Martin Camaj lindi në Temal të Dukagjinit më 21 korrik të vitit 1925; vdiq më 12 mars të vitit 1992 në Mynih. Ishte shkrimtar dhe albanolog, një figurë e madhe e letrave dhe pedagogjisë shqipe.

Në Shkodër, në Kolegjin Jezuit mori edukatë klasike dhe më tej studjoi në Beograd ku studioi romanistikën, por mori mësime edhe nga teoria e letërsisë dhe gjuhët sllave. Në verën e vitit 1956 largohet edhe nga Jugosllavia dhe shkon në Itali për studime pasuniversitare. Në Romë doktorohet dhe drejton revistën “Shejzat” si kryeredaktor, nën përkujdesjen e Ernest Koliqit. Këtu njihet më përseafërmi me botën arbëreshe, dhe nis e mëson shqip. Në Romë ndjek rrethet letrare të këtij qyteti, ku njihet edhe me autorët emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë dhe sidomos me poetë balltikë. Ishin të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me qendër në Londër.

Ai e nisi me poezinë, zhandër mbas të cilit i mbeti besnik gjithë jetën, kurse gjatë viteve të fundit u përqendrua shumë tek proza. Vëllimi i tij i parë me varg klasik “Nji fyell ndër male”, Prishtinë 1953 (Një fyell ndër male), dhe “Kânga e vërrinit”, Prishtinë 1954 (Kënga e lëndinave), u frymëzuan nga banorët e zonave ku lindi, malësorët e veriut, mbas të cilëve qëndroj shumë i afërt shpirtërisht edhe mbas shumë e shumë viteve në mërgim dhe pamundësia për t’u kthyer. Këto u ndoqën nga “Djella”, Romë 1958, një novelë me disa vargje mbi dashurinë e një mësuesi me një vajzë të re. Përmbledhja e poezive “Legjenda”, Romë 1964 dhe “Lirika mes dy moteve”, Munich 1967, kishte disa poezi nga “Kânga e vërrinit”, që u ribotuan në “Poezi” 1953-1967, Munich 1981. Vargu i pjekur i Camajt reflekton ndikimin e lëvizjes hermetike të poetit italian Giuseppe Ungaretti (1888-1970). Karakteret metaforike dhe simbolike të gjuhës së tij rriten me kohën, siç ndodh edhe me rangun e temave poetike të tij. Një përzgjedhje e poezive të tij e përkthyer në Anglisht nga Leonard Fox në vëllimet “Selected Poetry”, New York 1990 (Poezi të zgjedhura), dhe “Palimpsest”.

MES SHËNGJERGJAVE

Nepër palcin e eshtnave ndij
frymën e vdekjes.
Për rreth digjet ajri
e shikimi tret në udhën e pa skâj.
Më dhimben vetëm sýt:
do të shohin dhambët e amshimit
tue u mbyllë përpara.

NJI POETI TË SOTËM

Rruga jote â e mirë:
Parkat janë fytyrat ma të shëmtueme
të miteve klasike. Ti nuk shkrove për to,
por për rrasa guri e ballë njerzorë
me rrudha shum e për dashuninë.

Vargjet tua janë për t’i lexue në heshtje
e jo para mikrofonit
si të çetës së poetëve tjerë,

zemra
ndonëse nën shtatë lëkura
akull,

akull
ndonëse nën shtatë lëkura.

MOTIV I VJETËR NË KTHIM

Shtatë vasha u çuen peshë
kur ngjyra e korbit fluturoi
përmbi shtyllën e jetës:
sqepi i dukej i verdhë, gati i bardhë
mes pendlave të zeza.

Shtatë vasha u çuen peshë
e u turrën vrap me funda
në duer sa qethi mbas korbave
e vetëm me za i tretën si plafa të murmë
nën karmat e vendit tim.

Po s’erdhët ju, vasha,
kur të zbardhen pusat e ujit
në lumë përpara agimit,
ngurzohen ehde duert e foshnjeve
në palaré.

DRENI PLAK

Barijtë tradhtisht e lanë shkret bjeshkën
për ngrohësinë e vërrijeve.
Dirgjen shtigjeve tue folë me za të naltë
punë grash e qeshin
me ujin e prronit zhgrehshëm tue u derdhë,
prej pusi në pus.

Dreni plak çoi kryet prej dheut të djegun,
e vrejti gjethin e zverdhun. Mandej
shkoi e u kap me të bijtë për punë
drenushash.

I thyem e la edhe ai bjeshkën e ndoqi
gazin e prronit teposhtë, shigjetë zjarmi
mërgues për vendet e vuta e bar dimni
që kurr nuk ka me e prekë!

Kur e vranë, barijtë i hapën qepallat
e i panë ndër bebza
shum drej tue pi currila uji.

GRUEJA ME MËNGJI

Nësa ishte e re e me burrë
fëmija i thithën palcën e eshtnave:
tash i bien dhambët nji nga nji prej goje.
Pavëmendshëm në kalim
ia shtrydhin gjurmën e teshtijnë
të bijtë
për të mos i ndëgjojnë vajin.

Grueja s’e përdori mëngjinë
me ngrehë një kështjellë në det me hala peshku
dhe alga
e me ndejë e ndritun në shkamb ari,
pa të bijtë.

GJARPNI E GRUEJA

Ajo mbramë harroi trupin e vet zbuluet
e në mëngjes e gjeti pikturë të varun
në murin e gjanë dhetë pashë:
e kqyri dhe e kqyri e u zhduk.

Petkat e saj teren buzë detit
me këmishën e gjarpnit mbi gurë.
Shtërpia tha se vjen prap, ajo,
deri mbasdite.

Mbasdite vonë, gjarpni i rrejtun
doli prej nëngurit
e iu zgërdhesh vetmisë ndërsy,
veshi këmishën e vjetër e shkoi
me fjetë.

VRASJA E POETIT

Liria e fshehun ndër vargje
të poezisë
nuk ishte vetëm:
para tyne rrishin galuc roje
shpend mishngranës
me fytyrë njerëzore.

E ti ishe për ta nji bletë
tue u rropatë ka drita në qelq,
andej kufijve të botës
njerëzore.

SHKUSHULLIM

Kush iu kujtue territ që bie në luginë mbas fikjes së yjve
para agimit?
Shkatrruesi i vetes, nji krip-bardhë
e gjeti se koha e mungët
mes dritave
i hyn në palcë gurit
dhe ashtit njerëzor.

Terrin mes dy dritave
s’e duron ylli që shkoqet,
as njeriu.

FILL I GJETUN

Natën që shkoi u fikën dritat e mbeti
qyteti në terr deri n’agim.

Amvisat kërkuen llampat vojguri
e s’i gjetën në terr.

Në nadje ra dielli e zbeu
faqet e rrokaqiellëve.

Në nadje vrejta rrethin e andrrave
në truell
e gjeta fillin e tretun
në pikën e ndaljes së dritës.