
Caku i tyre ishin dy lokale por brenda tyre kanë vjedhur vetëm dy televizorë. Katër persona të cilët kanë vjedhur dy televizorët janë arrestuar nga Policia e Kosovës e cila ka konsideruar këtë si “vjedhje të rëndë”.
Hetuesit policorë në kuadër të stacionit “Jugu” në Mitrovicë, sipas një njoftimi policor kanë arritur të identifikojë dhe të arrestojnë katër persona të dyshuar për përfshirje në dy raste të ‘vjedhjeve të rënda’.
“Rastet e vjedhjeve ishin raportuar dy ditë më parë në zonën e Mitrovicës, ku si cak i kësaj vjedhje ishin dy lokale, ku të dyshuarit përmes thyerjes me forcë kishin depërtuar brenda në lokale, nga ku kishin vjedhur dy televizorë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Vjedhjet sipas policisë kanë ndodhur me 27 janar 2017 në Mitrovicë, dhe janë kryer nga R. B., 37 vjeçar, L. K. 28 vjeçar, D. S. 20 vjeçar, I. S. 19 vjeçar. Të gjithë të përkatësisë etnike shqiptare.
Përveç identifikimit dhe arrestimit të të dyshuarve, hetuesit policorë sipas Policisë, kanë identifikuar edhe vendin ku të dyshuarit i kishin fshehur televizorët e vjedhur, më pas televizorët u janë kthyer pronarëve legjitimë.
Katër të dyshuarve pas procedurave intervistuese, nga ana e prokurorit të çështjes u është caktuar masa e ndalimit policor.