Polici tregon se nga kush u ndikuan të rinjtë kosovarë që shkuan në Siri

Polici tregon se nga kush u ndikuan të rinjtë kosovarë që shkuan në Siri

Zyrtari i Drejtorisë Kundër Terrorizmit (DKT), në kuadër të Policisë së Kosovës, Nexhat Haxhaj, ka deklaruar se familjarët e disa personave që janë në Siri, apo që janë vrarë atje, i kishin thënë atij, se shkuarja e tyre në këtë zonë të luftës, ka qenë e ndikuar nga ligjëratat e imamit Idriz Bilibani.

Rreshteri policor, Nexhat Haxhaj, e ka dhënë një deklaratë të tillë, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve për vepra penale që lidhen me terrorizmin, Idriz Bilibani, Bedri Robaj, Enes Goga, Mazllam Mazllami dhe Fuad Ramiqi.

Në këtë seancë, Haxhaj ka deklaruar se dyshimet se ligjëratat e imamit Bilibani kishin ndikuar që dy të rinj të shkojnë në Siri, ia kanë thënë familjarët e Hamdi Krushës dhe të Qëndrim Kovaçit.

Haxhaj më 25 gusht 2012, kishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale një raport njoftues në lidhje me një video-incizim, ku si ligjërues ka qenë tani i akuzuari, Idriz Bilibani.

Këtë raport, ai ka thënë se e kishte përpiluar së bashku me kolegun Përparim Mustafa dhe disa kolegë të tjerë, pasi që gjatë analizimit të pajisjeve elektronike të Zeqirja Qazimit, kishte hasur në këtë video-incizim.

Kjo ligjëratë në gjuhën arabe nga Idriz Bilibani, ishte mbajtur në Gjilan, në një ambient të mbyllur.

Kjo ligjëratë ishte një nga provat e prokurorisë, e cila Idriz Bilibanin, e akuzon se kishte përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Këtë ligjëratë, e kishte përkthyer nga gjuha arabe në gjuhën shqipe, imami Zekrija Qazimi, i cili në maj të vitit 2016, ishte dënuar me 10 vjet heqje lirie, pasi akuzohej se kishte rekrutuar të rinj kosovarë, të bëhen pjesë e organizatës terroriste “ISIS”, si dhe kishte përhapur nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Ky material, është prezantuar gjatë marrjes në pyetje të dy dëshmitarëve Nexhat Haxhaj dhe Përparim Mustafa.

Përmes sekuencave në formë të fotove të marra nga video-incizimi, nga dëshmitari është kërkuar që të  bëhet identifikimi i personave të cilët kishin qenë pjesë e kësaj ligjërate, e të cilët ai i njeh.

Nexhat Hoxhaj, ka deklaruar se në njërën fotografi është imami Zeqirja Qazimi, i cili në një rast tjetër, është i dënuar me 10 vjet burg, Bujar Brahimi, i cili ka dy raste në DKT, Besnik Latifi, i cili është dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim për rastin “Badovci”, dhe Ilir Berisha, të cilin dëshmitari ka thënë se e njeh pasi ka qenë rasti i parë mbi të cilin ka punuar në DKT.Ai, gjithashtu ka identifikuar në një fotografi tjetër Fatos Rizvanollin, i dënuar me 7 vjet burg, dhe Leonis Frëngun, e po ashtu në fotografinë tjetër të marrë nga njëra sekuencë e video-incizimit Emri Bushin, i cili është i akuzuar për terrorizëm dhe gjithashtu Hajdin Elezin, i dënuar për terrorizëm me 4 vjet e 6 muaj.

Ndërsa, në këtë shqyrtim gjyqësor është dëgjuar edhe dëshmitari Përparim Mustafa, po ashtu mbikëqyrës i Drejtorisë Kundër Terrorizmit.

Gjithashtu, edhe ai ka identifikuar tetë personat e njëjtë në fotografitë e paraqitura nga video-incizimi.

Sipas tij, DKT i ka pasur të gjithë në mbikëqyrje gjatë kohës së kësaj ligjërate, e cila është mbajtur në Gjilan dhe është mbajtur nga persona të rrethit të ngushtë, ku ligjërues në gjuhën arabe ka qenë Idriz Bilibani, derisa ka përkthyer Zeqirja Qazimi.

“Të gjithë këta persona, i përkasin një ideologjie të njëjtë të cilën e praktikojnë organizatat terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”, duke përfshirë edhe të akuzuarit Idriz Bilibani, Zeqirja Qazimi, Abdurrahim Balla dhe Rexhep Menishi”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Idriz Bilibani, avokati Hajrip Krasniqi, ka bërë vërejtje në dëshminë e dëshmitarit sa i përket vlerësimit të radikalizmit islam dhe krahasimit të radikalizmit në Kosovë dhe atij në organizatat terroriste të përmendura.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli, e ka caktuar seancën e radhës më 03 prill 2018, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës, Bedri Robaj akuzohet se që nga viti 2012 e deri në gusht të vitit 2014 në Prishtinë në xhaminë e improvizuar te “Termokosi”, ku ka shërbyer si imam dhe gjatë predikimeve dhe ligjëratave private ka mbështetur “xhihadin-shehidllëkun në Siri”. I njëjti akuzohet për shtytje të personave të pacaktuar që t’iu bashkëngjiten grupeve terroriste “Al-Nusra”.

Idriz Bilibani, akuzohet se që nga viti 2012 e deri në kohën e arrestimit në Prizren dhe në vende të tjera në Kosovë, si hoxhë gjatë mbajtjes së ligjëratave fetare në xhami-OJQ-në “El Bejan” dhe paraqitjet tjera publike të incizuara në video ka përcjellë mesazhe shtytëse që persona të pacaktuar t’i bashkohen organizatës terroriste “Al Nusra” në Siri.

Kurse, aktakuza pretendon se Enes Goga në pozitën e imamit në Pejë, në një ligjëratë fetare para besimtarëve në këtë qytet, përmes “Audionur” me datën 10 mars 2014 të publikuar në youtube, në të cilën kanë qasje një numër i pacaktuar i personave, publikisht ka nxitur urrejtje ndaj grupeve fetare të besimtarëve të krishterë.

Mazllam Mazllami, akuzohet se si imam i xhamisë “Jeni Mahalla” në Prizren, gjatë predikimit të tij dhe në paraqitje publike ka nxitur dhe përkrahur publikisht urrejtje dhe mos durim ndaj grupit të komunitetit LGBTI.

Fuad Ramiqi, akuzohet se prej fillimit të muajit shtator në paraqitjet e tij publike në mjetet e informimit në televizione, gazeta dhe rrjete sociale ka bërë thirrje për rezistencë ndaj organeve të drejtësisë.