Policia arreston një person për grabitje të armatosur

Nga hetuesit policor të stacionit të Podujevës është arrestuar një person, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm që mund të jetë i përfshirë në një rast të grabitjes së armatosur.

Rasti ka ndodhur më 10.09.2018 në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ku në një lokal (pikë e një filiali që merret me transferim parash), nën kërcënimin e armës janë grabitur një shumë e parave të gatshme.

Puna e hetuesve policor të stacionit të Podujevës, është finalizuar mbrëmë  rreth orës 18:00, e cila ka rezultuar me  identifikimin dhe arrestimin e personit  të dyshuar: Sh. T, mashkull, 27 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës.

Ndaj tij, Prokurori i shtetit i ka shqiptuar masën e ndalimit për 48 orë, ndërkohë që hetuesit policor janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale.