Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e kryetarit të Partisë Socialdemorakte, Dardan Molliqaj, dhe 15 aktivistëve të tjerë të kësaj partie, njofton Insajderi.
Sipas policisë, përkundër se këta përsona janë këshilluar për veprime të tilla të palejuara, të njëjtit kanë arritur t’i dëmtojnë muralet e stacionit policor duke vendosur grafitet e tyre.
“Sot rreth orës 13:00 në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar për shkrimin e grafitevë në sipërfaqen murale të stacionit policor Qendra”.
“Përkundër faktit që këta persona paraprakisht janë këshilluar nga policia për veprimet e tilla të palejuara, të njëjtit duke shfaqur vazhdimisht shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë, (duke tërhequr pjesëtarët e policisë), shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policor si dhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare, kanë arritur të dëmtojnë muralet e stacionit policor me grafitet e tyre të vendosura aty”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, bëhet e ditur se 16 te arrestuarit janë duke u proceduar në fazën preliminare.
“Së këndejmi është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili bashkërisht me policinë po koordinohen për veprimet vijuese që konsistojnë në zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, përpara masave të mëtejme në procedure”, thuhet ndër të tjera në komunikatë./Insajderi.com