Policia italiane godet grupin kriminal të basteve online – shtrihej edhe në Shqipëri

Policia italiane godet grupin kriminal të basteve online – shtrihej edhe në Shqipëri

Policia italiane ka ndërmarrë një mega operacion, ndërsa ka arrestuar 68 persona si të përfshirë në aktivitetin e përfitimit të paligjshëm në bastet sportive online.

Organizata kriminale  me bazë në Puglia, Katania e Calabri e kishte shtrirë aktivitetin e saj në 11 shtete të ndryshme si Shqipëri, Itali, Serbi, Austri, Spanjë, Maltë, Zvicër, Britani e Madhe, Vende të Ulëta, Kuracao, Isola di Man.

Gjatë operacionit, Antimafia italiane ka sekuestruar të mira materiale në vlerë 1 miliardë euro, raportojne mediat vendase.

Ndaj të arrestuarve rëndon akuza për pjesëmarrje në organizim kriminal mafioz me aktivitet të paligjshëm në bastet sportive online, mashtrim në transferim parash, riciklim të paligjshëm të ardhurash, si dhe mashtrim tatimor.

Arrestimet kanë ardhur pas hetimeve dhe vëzhgimeve prej disa kohesh nga policia e Prokuroria italiane, ndërsa vlera e basteve kapërcente 4,5 miliardë euro të luajtura në platforma të ndryshme on line që menaxhoheshin nga anëtarët e organizatës.

Fitimet e mbledhura nga ky aktivitet janë investuar në pasuri të patundshme e në llogari financiare jashtë territorit italian nën emra fondacionesh, kompanish e personash.