Policia jep detaje për aksionin ku u konfiskuan 113 kilogramë drogë

Policia jep detaje për aksionin ku u konfiskuan 113 kilogramë drogë

Në një konferencë për media, Policia e Kosovës ka treguar disa detaje të reja në lidhje me konfiskimin e 113 kilogramëve heroinë.

Riza Shillova, drejtor i Departamentit për Hetime në Policinë e Kosovës bëri të ditur se të arrestuarit janë të katër nga Shqipëria.

Ai tha se Policia qe një kohë të gjatë ka qenë duke e hetuar këtë grup, shkruan Gazeta Insajderi.

“Ndërsa rasti i mbrëmshëm ka të bëjë me një operacion që ka qenë duke u zhvilluar qe një kohë të gjatë ku ka rezultuar me arrestimin e katër personave. Katër të arrestuarit janë shtetas të Shqipërisë dhe sa i përket luftës ndaj narkotikëve kërkoj gjithashtu ndihmën e shteteve fqinje, pasi është një problem global. Detaje tjera për rastin nuk mund të zbulojë”, ka thënë Shillova.

Ai gjithashtu ka sqaruar se droga është gjetur në vendin ku gjatë ditës sot është bërë e ditur, se Policia e ka gjetur edhe një trup të pajetë.

“Droga është gjetur në vendin ku është gjetur i vdekur edhe një person”, tha Shillova.

Ndryshe në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.

Ai tha se në Policinë e Kosovës do të bëhet traditë, organizimi i konferenca një herë në muaj. /Insajderi.com