Policia jep detaje për kërkimin e deputetëve të Vetëvendosjes

Policia jep detaje për kërkimin e deputetëve të Vetëvendosjes

Gjykata Themelore në Prishtinë, më datë 13.10.2017 i ka referuar urdhëresën e përsëritur Policisë së Kosovës për sjelljen me detyrim të Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupi, në seancën e sotme gjyqësore përpara orës 09:00 pasi që ndaj tyre është duke u zhvilluar procedurë penale.

“Konform detyrimit ligjor, autorizimeve të saja si dhe përgjegjësisë për ta realizuar urdhëresën sipas përmbajtjes së saj, policia ka dërguar njësinë patrulluese në adresat e dhëna nga gjykata për të kontaktuar me personat në fjalë, por të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e tyre, si dhe nuk ka qenë e mundur të kontaktohen përmes formave të tjera të kontaktit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Përkitazi me këtë, policia thotë se e ka njoftuar Gjykatën Themelore për veprimet e saj dhe mosgjetjen e personave në adresat e tyre përpara fillimit të seancës.

Megjithatë, policia ka sqaruar se gjatë zbatimit të urdhëresës nuk ka bastisur apo rrethuar asnjë lokacion, siç është paraqitur në media gjatë ditës së sotme.

“Ndërlidhur me veprimet policore konfirmojmë se në asnjërin prej të dyja rasteve policia nuk ka rrethuar lokacione dhe nuk ka bastisur asnjë adresë banimi, andaj pretendimet e disa qarqeve informative për bastisje dhe rrethim të ndonjë vendbanimi janë të pavërteta dhe  si të tilla mbesin në suazat e spekulimeve”, përfundon sqarimi i policisë/Insajderi.com