Policia jep detaje për sulmin kibernetik të tentuar në Ministrinë e Financave

Policia jep detaje për sulmin kibernetik të tentuar në Ministrinë e Financave

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me sulmin kibernetik të ndodhur dje në Ministrinë e Financave, njofton Insajderi.

Në raportin 24 orësh të Policisë thuhet se ankuesi ka raportuar se ditë më parë, sipas mirëmbajtëseve të IT-së së këtij institucioni, dyshohet se ka pasur tentim/hyrje në sistemin kompjuterik.

Mirëmbajtësit e IT-së  kanë arritur që  ta ndalojnë në vazhdim hyrjen në sistemin kompjuterik dhe lidhur me këtë janë duke u kryer hetime nga njësitë kompetente.

“Prishtinë 27.02.2021 – 12:20. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se me ditë më parë sipas mirëmbajtëseve të IT-së së institucionit, dyshohet se ka pasur tentim/hyrje në sistemin kompjuterik. Mirëmbajtësit e IT-së  kanë arrit që  ta ndalojnë në vazhdim hyrjen në sistemin kompjuterik dhe lidhur me këtë janë duke u kryer hetime nga njësitë kompetente”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ministria e Financave të Kosovës gjatë ditës së djeshme njoftoi se Sistemi i saj Informativ i Tatimit në Pronë ka qenë cak i një sulmi kibernetik.

Përmes një njoftimi, kjo ministri tha se sulmues të paidentifikuar “kanë përdorur të dhënat e personave të Regjistrit Civil të Republikës së Kosovës përmes të cilave kanë tentuar të lexojnë të dhënat e faturave të tatimit në pronë”.

“Ministra e Financave siguron qytetarët se sulmi i tentuar nuk ka arritur të cenojë integritetin dhe sigurinë e sistemit onformativ në fjalë. Rasti është paraqitur dhe tani më të po merren organet kompetente”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.

Ministria e Financave tha se sulmi është kryer në seksionin e shërbimit online të faturës së pronës. /Insajderi.com