Policia jep detaje për sulmin ndaj zyrtarëve të saj në Veri

Policia jep detaje për sulmin ndaj zyrtarëve të saj në Veri

Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë natës së mbrëmshme është sulmuar automjeti i patrullës kufitare në Zubin Potok.

Në një përgjigje për Insjaderin, Bajram Krasniqi zëdhënës në Policinë e Kosovës, ka thënë se “rreth orës 21:44, në fshatin Banje-KK. Zubin Potok, konkretisht në rrugën alternative afër PKK Bërnjak, nga persona të panjohur është shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit të patrullës kufitare të Zubin Potokut”.

Lidhur me këtë nuk është raportuar për lëndim të zyrtarëve policor të cilët kanë qenë në automjetin e tyre zyrtarë.

“Ju njoftojmë se në momentin e sulmit, brenda në automjet kanë qenë zyrtarët policor kufitar, të cilët fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime. Lidhur me rastin janë ndërmarr të gjitha masat e nevojshme policore, për hetime dhe veprime të mëtejme”, ka treguar Krasniqi për Insajderin.

Kujtojm se edhe gjatë vitit 2014 në të njëjtin vend dhe orë ka ndodhur sulm ndaj personave zyrtarë të Policisë së Kosovës, ku kanë mbetur të plagosur tre policë serbë. /Insajderi.com