Policia nis gërmimet për gjetjen e Mirjeta Zekës, vëllai i saj akuzon dhëndrin për vrasje dhe zhdukjen e gjurmëve

Policia nis gërmimet për gjetjen e Mirjeta Zekës, vëllai i saj akuzon dhëndrin për vrasje dhe zhdukjen e gjurmëve

Policia dhe njësitet e Forcave të Sigurisë së Kosovës, kanë filluar që nga dje gërmimet pranë urës së Ibrit, ku po dyshohet se është varrosur Mirjeta Zeka-Shabani, e cila ishte zhdukur që një vit e shtatë muaj, mirëpo kërkimet në këtë zonë kanë përfunduar pa rezultat, ndërsa pritet të fillojnë në një tjetër vend të njohur për organet e rendit.

Nga familja Zeka po pretendojnë se Mirjetën e ka mbytur burri i saj, Nehat Shabani dhe më pas e ka varrosur për t’ia humbur gjurmët.

Vëllai i Mirjetës, Mehmedali Zeka tha për gazetën Objektiv se me motrën e kishte parë për herë të fundit me 30 mars të vitit 2019, teksa ajo po bëhej gati për të udhëtuar për në Gjermani ku jetonte në bashkëshortin, ndërsa në vonë e kishte telefonuar dhëndërin, por ky i fundit e ka gënjyer se motra ka ikur nga shtëpia.

“Me 30 mars e kam parë motrën për herë të fundit pasi kanë pas me u nis herët për Gjermani se motra ka pas me dalë me datën në 1 në punë. Më ka thirr dhëndëri pas disa muajve më ka thanë ka ikë motra, jam gëzuar të them të drejtën edhe më ka thanë se motra u shkuar ka Afrika diku, motra s’ka ditë me nxjerrë biletë me shku në Gjermani e jo në Afrikë”, tha Zeka.

Ai shprehet i pakënaqur me punën e Prokurorisë së Mitrovicës, pasi sipas tij nuk është dashtë të lejohet që i dyshuari për zhdukjen e. motrës të largohej nga Kosova.

“Me punën e prokurorit nuk jemi të kënaqur hiç, puna e tij është me shku në ora 9 edhe me dalë në ora 4. Prej se e ka marrë lëndët prokurori Njazi Rexha puna u ndalu komplet pasi ia ka kthyer dokumentet të dyshuarit edhe asnjë ditë arrest nuk e ka mbajt. Ai ka shkuar në Gjermani edhe nuk e kanë intervistuar fare”, shtoi Zeka.

Siç shprehet tutje Zeka, dhëndëri pasi ia ka vrarë motrën është kujdesur që është t’i fshijë gjurmët, e për këtë në Kosovë ishin edhe autoritet gjermane për ta bërë ekzaminimin e shtëpisë ku kanë jetuar, meqë i dyshuari ka nënshtetësi gjermane.

“I ka djeg teshat e motrës dhe e ka rinovuar shtëpinë komplet edhe mandej e ka lajmëruar në polici. Policët gjerman kanë qenë në Kosovë dhe se rastin e kemi hap edhe në Gjermani, pasi i dyshuari është shtetas gjerman. Ata kanë kërkuar me kry ekzaminim në shtëpi sepse i kanë mjetet e mira që ka mundësi edhe mbas renovimit që e ka bërë dhëndëri me gjet gjurmë për ta ndriçuar rastin e motrës”, potencoi Zeka.

“Në fillim kur janë martuar u pat mundu motra me mbajt fshehtë gati një vjet, na tu i bo presion ka tregu, po motrën e ka kërcënuar vazhdimisht dhëndri dhe u frikësuar me tregu se ky e ka kërcënuar edhe me armë. E ka rrah edhe vëllain e vet para motrës. Me motrën nuk kemi mundur as në telefon me fol se nuk e ka lanë me mbajt”, theksoi Zeka. /Insajderi.com