Policia paralajmëron protesta nëse Ligji për Paga nuk implementohet 100%

Policia paralajmëron protesta nëse Ligji për Paga nuk implementohet 100%

Bashkërisht i shkuan në takim kryeministrit Albin Kurti të mërkurën. E, të përbashkët e kanë edhe kërkesën e tyre kryesore që Ligji i Pagave të implementohet i plotë.

Kryetari Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli, në një intervistë për Front Online, thotë se qëndron në të njëjtën vijë në këtë aspekt me kryetarin e SBASHK-u, Rrahman Jasharaj dhe me sindikatat e tjera.

Veçse Tasholli ka paralajmëruar protesta të policëve në rast se Ligji i Pagave implementohet pjesërisht.

“Nuk përjashtohen protesta. Nuk kemi çka thojmë i pjesshëm, ne kemi nënshkruar, sindikata e Policisë, menaxhmenti i Policisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Qeveria, Parlamenti ka nënshkruar për këtë. Ne kërkojmë ashtu siç e kemi nënshkruar 100%”, tha ai.

Policët në Kosovë nuk kanë ende sigurim shëndetësor.

I pyetur për këtë çështje, Tasholli, iu referua deklaratës së dhjetë ditë më parë të zëvendësministrit të Financave, Agim Krasniqi.

“Para 10 dite zëvendësministri i Financave e tha në media se do të thotë është punë muajsh, 2 ose 3 muaj po supozojmë. Nuk e dimë, tani për tani, duhet të jemi real që është një qeveri shumë e hershme. Ndoshta situata e cila e ka sjell nivelizimin e pagave, po na ndërlidhet me sigurim shëndetësor, pension të parakohshëm, të gjithat janë tubuar, të cilat ndoshta e kanë ngulfatur këto kërkesa Qeverinë”, potencoi ai.

Tasholli mes tjerash, thotë se i është premtuar zgjidhje për sfidat me të cilat përballen pjesëtarët e Policisë.

“Përgjigja ka qenë e mirë e Kurtit. I kam treguar sa policë janë të ramë në detyrë, kemi policë që përdoret forca ndaj tyre. Na kritikojnë shumë vende qe e kalojmë autorizimin zyrtar, por këtë ia kam thënë Kurtit dhe Ministrit të Financave, që kemi shumë policë të sulmuar nga qyetarët pa të drejtë. Ministri i Financave edhe kryeministri kanë premtuar se do të shikohet kjo, e veçanërisht Ministri i Punëve të Brendshme”, tha ai.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovë, 20 vjet më parë, e deri më tani, 21 pjesëtarë të saj kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës.