Policia: Procesi zgjedhor vlerësohet i qetë dhe pa incidente serioze

Policia: Procesi zgjedhor vlerësohet i qetë dhe pa incidente serioze

Policia e Kosovës përmes një komunikate për medie bën të ditur se ka realizuar me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, njofton Insajderi.

Sipas Policisë, plani i tyre ka paraparë inicimin dhe procedimin e çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar tri raste që ndërlidhen me zgjedhjet, por të cilat nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Prej tyre një rast është evidentuar në Lipjan si “Pengim i procesit të votimit”, ku është arrestuar një person i cili me vendim të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërsa dy rastet tjera, një në Prizren dhe një në Fushë Kosovë, janë evidentuar “Cenim i fshehtësisë së votimit”, ku me vendim të prokurorëve të dy rastet janë dërguar në procedurë të rregullt”, thuhet në komunikatë.

Policia e Kosovës thotë se ka trajtuar ç’do informacion i cili ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, si dhe ka trajtuar edhe raste tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor./Insajderi.com