Policia qetëson qytetarët për gruan e dyshuar për rrëmbim fëmijësh

Policia qetëson qytetarët për gruan e dyshuar për rrëmbim fëmijësh

Paniku që u përhap në rrjete sociale me foton e një femre për të cilën u tha se po rrëmbente fëmijë ka shqetësuar prindërit kosovarë, por ka ngjallur edhe reagimin e menjëhershëm të Policisë së Kosovës.

Policia menjëherë e ka shoqëruar të dyshuarën në Stacionin Policor të Malishevës dhe e ka identifikuar si femrën me inicialet Z.S., rome me pasaportë kosovare nga Podujeva.

Kur është pyetur rreth identitetit, ajo nuk është përgjigjur në gjuhët zyrtare të shtetit te Kosovës, por ka komunikuar vetëm në gjuhën gjermane.

Zëdhënësja e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, Lirije Podrimja, tha për KosovaPress se pas verifikimeve të të të dhënave është kuptuar që e njëjta është riatdhesuar nga Belgjika në Kosovë në vitin 2011 dhe është trajtuar nga punëtoret e mirëqenies sociale në Podujevë, Prizren etj, mirëpo e njëjta nuk qëndron në qendrat qe e akomodojnë punëtoret e mirëqenies sociale si dhe ka qenë në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj në Vranidoll.

“Lidhur me këtë çështje është kontaktuar edhe Stacioni Policor në Podujevë dhe sipas tyre e njëjta ishte e njohur për ta, por nuk ishte person në kërkim policor. Pas verifikimit të identitetit dhe meqenëse e njëjta nuk dyshohet për ndonjë aktivitet kriminal është lënë e lirë”, deklaroi ajo.

Dje e njëjta është fotografuar në Stacionin e Autobusëve në Malishevë dhe është fotografuar nga nxënës të shkollave të mesme të cilët më pas e kanë publikuar në rrjete sociale duke ngjallur frikë në mesin e qytetarëve.

Sipas Podrimes, këto postime kanë pasur qëllim humori dhe tallje.