Policia serbe ndalon protestuesit që tentuan të prishin festivalin “Mirëdita, Dobar Dan!”

Një prani e profilit të lartë policor në Beograd parandaloi qindra ekstremistë të krahut të djathtë serb që të përçanin hapjen e një festivali që promovon kulturën shqiptare të Kosovës dhe tolerancën ndëretnike.

Policia serbe ndalon protestuesit që tentuan të prishin festivalin “Mirëdita, Dobar Dan!”

Disa qindra nacionalistë dhe të djathtët ekstremë u përpoqën të prishin hapjen e festivalit “Mirëdita, Dobar Dan!”, por një prani e fortë policore i pengoi ata që t’i afroheshin vendit të ngjarjes në Beograd, shkruan Balkan Insight, transmeton Insajderi.

Pjesëmarrësit nga Kosova arritën nën shoqërimin e policisë në Qendrën për Dekontaminimin Kulturor, ku festivali po paraqet filma, ekspozita dhe shfaqje teatrore nga Kosova në një përpjekje për të ndihmuar në rindërtimin e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

Protestuesit përpara kordonit të policisë brohorisnin parulla si “Kosova është Serbi”, ndërsa disa ekstremistë bërtisnin: “Vritni, therni, që shqiptarët të mos ekzistojnë”, e dëgjoheshin duke kënduar këngë serbe.

Midis protestuesve ishin Misa Vaciq, udhëheqës i “Srpska Desnica” dhe Milica Gjurgjeviq, udhëheqëse e “Zavetnici”, të dy organizata të krahut të djathtë.

“Mesazhi ynë është që Partia Përparimtare [qeverisëse] Serbe është përgjegjëse për mbajtjen e festivalit Mirëdita. Kjo nuk ka të bëjë me artistë nga Kosova, mirëdita është një projekt politik”, tha Gjurgjeviq për televizionin N1.

Programi i festivalit u ndërpre për pak kohë kur një i djathtë që arriti të kalonte nëpër kordonin e policisë u ngjit në skenë, mori mikrofonin dhe u përpoq të bënte një deklaratë para se të hiqej nga sigurimi.

Festivali “Mirëdita, Dobar Dan”, ka për qëllim të promovojë tolerancën dhe pajtimin midis njerëzve nga Serbia dhe Kosova.

Fiona Jelici e “Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut”, një nga organizatorët e festivalit, i tha ceremonisë së hapjes se protestuesit ishin kundërshtarë të paqes.

“Fatkeqësisht, vitet kalojnë dhe skenari i njëjtë përsëritet”, tha Jelici.

“Në anën tjetër të kordonit [policor] që na mbron, janë kundërshtarët më të egër të pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve”, shtoi ajo.

Që kur u themelua në vitin 2014, të djathtët janë përpjekur të prishin “Mirëdita, Dobar Dan!”, festival i cili organizohet nga “Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut”, “Nisma Qytetare nga Beogradi” dhe organizata joqeveritare “Integra” nga Prishtina. /Insajderi.com