Policia: Stresi është anëtari i grupit kriminal

Policia: Stresi është anëtari i grupit kriminal

Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi, shprehte gjithmonë pasionin për armët, jo vetëm në videoklipe, por edhe në kohën kur ishte në shërbim prove dhe nuk duhej të kryente asnjë krim.

“Po të jetë nevoja, do ta mbaj prapë armën”, thonte Stresi për Top Channel.

Por, pasditen e së mërkurës, 31-vjeçari u arrestua për të tretën herë. Stresi u vu në pranga në një hotel në periferi të Tiranës, ku uniformat blu i gjetën një pistoletë pa leje dhe një sasi të vogël kokaine. Sipas policisë, ai është anëtar i një grupi kriminal që vepron në Tiranë në fushën e trafikimit të narkotikëve dhe krimeve kundër personit. Sipas burimeve, reperi ka qenë në përgjim prej disa muajsh, ndërsa gjykata ka caktuar për të edhe masën e sigurisë arrest me burg.

Në vitin 2015, Stresi u arratis edhe nga komisariati nr. 3, ndërsa në muajin prill të këtij viti u arrestua sërish së bashku me dy miq të tij në një lokal duke konsumuar kokainë.

Reperi rebel nga Tropoja njihet edhe për qëndrimet e tij kundër qeverisë aktuale, ku ka qenë i pranishëm në të gjitha protestat e opozitës. Pak ditë më parë, këngëtari postonte në rrjetet sociale edhe një foto nga një tekst shkollor ku përmendej emri i tij.

Në të njëjtën kohë, edhe rivali i tij Noizy postonte një foto të ngjashme, ku nxënësit në një ushtrim duhet të plotësonin të dhëna për të.

Ndryshe nga stili i tij agresiv, vetëm 5 ditë më parë Stresi publikoi këngën e fundit dedikuar nënës.