Policia: Veprimet për arrestimin e Astrit Mehmetit pritet të kryhen me sukses

Policia: Veprimet për arrestimin e Astrit Mehmetit pritet të kryhen me sukses

Ndonëse drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj paralajmëroi një muaj më parë se është çështje orësh arrestimi i gangsterit Astrit Mehmeti, i dyshuari për plagosjen e disa personave në Prishtinë vazhdon të endet i lirë tash e gati katër muaj.

Astrit Mehmeti kishte hapur zjarr ndaj katër rojeve të sigurimit të klubit “Duplex” në natën e 8 nëntorit të vitit të kaluar.

Që prej asaj nate, ‘Llepota’ është arratisur në drejtim të panjohur për Policinë.

Një kushëri i Astrit Mehmetin, me emrin Edi Mehmeti, i kishte shkruar Gazetës Insajderi disa javë më parë.

Fotografia në të cilën shfaqej nën shoqërinë e kushëririt të tij mbante një mbishkrim që sugjeronte se ata ndodheshin në Barcelonë, qytetin veri-lindor të Spanjës.

“Tfala keni qeshtje orësh”, ishte mesazhi i Edi Mehmetit, kushëririt të ‘Llepotës’ drejtuar Gazetës Insajderi.

Teksa njerëzit e afërt të Llepotës dërgojnë mesazhe nga Spanja, Policia e Kosovës shprehet e bindur se veprimet e Policisë së Kosovës për kapjen e Astrit Mehmetit do të rezultojnë të suksesshme.

Në një përgjigje për Insajderin të enjten, Policia ka thënë se operacioni për kapjen e të dyshuarit me kaluar kriminale të profilit të lartë është sfidues për këtë institucion.

Policia ka nënvizuar se rasti është duke u trajtuar me prioritet “dhe në koordinim të disa njësive policore”.

“Lokalizimi dhe arrestimi i dyshuarve me te kaluar kriminale te profilit te lart, ne disa raste është e vështire dhe sfiduese për policinë”, ka thënë Policia e Kosovës për Insajderin. Në rastin konkret, vlerësojmë se veprimet policore janë duke u realizuar dhe pritet të kryhen me sukses në arrestimin e te dyshuarit në kërkim”.

Drejtori i Policisë së Kosovës deklaroi rreth një muaj më parë se arrestimi i Astrit Mehmetit – Llepota, është çështje orësh.

“Në momentin e parë që kemi informacion ku është Astrit Mehmeti, do ta arrestojmë. Jemi duke punuar, besoj që do të arrestohet shumë shpejt. Nuk ka person që është i paprekshëm, është çështje orësh ose ditësh kur do të arrestohet”, deklaroi Qalaj më 8 dhjetor.

Astrit Mehmeti dyshohet për plagosjen e katër rojeve të sigurimit, të klubit të natës “Duplex” më 8 nëntor, teksa kishte qenë i shoqëruar nga Kushtrim Krasniqi dhe Andi Pajaziti.

Siç kishte raportuar Insajderi, të dy shoqëruesit e tij po ashtu kishin qenë të armatosur.

Siç dëshmon një video ekskluzive e siguruar nga Insajderi, grupi i Astrit Mehmetit dhe rojet e sigurimit të “Duplex” ishin gjuajtur me armë zjarri në hyrje të klubit të natës. Brenda disa sekondave ishin dëgjuar të krisura armësh, të cilat kishin krijuar panikë tek qytetarët e pranishëm. /Insajderi.com