Policia: Zëvendësministri përbuzi dhe njollosi policët kosovarë

Policia: Zëvendësministri përbuzi dhe njollosi policët kosovarë

Policia e Kosovës i ka reaguar zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook tha se shumë policë kosovar janë të korruptuar, sigurojnë diskoteka ku konsumohet drogë dhe luajnë në kazino, duke e këshilluar atë që të gjitha faktet që ka t’i paraqesë tek organet kompetente.

Sipas tyre, arrestimi i 59 zyrtarëve nga njësitet e trafikut rrugor janë raste të izoluara dhe në asnjë mënyrë nuk e zbehin “imazhin e mirë të punës së PK-së në përgjithësi”.

“Në arrestimin e këtyre zyrtarëve policor ka dhënë kontribut edhe vet PK-ja”, thuhet në komunikatë.

“Sa i përket dyshimeve, hipotezave dhe gjasave të probabilitetit  për një numër të madh të policëve të korruptuar, e inkurajojmë z. Mustafa që dyshimet e tija ti paraqes tek institucionet kompetente dhe e sigurojmë z. Mustafa edhe pse besojmë se e ka të qartë se  PK-ja do të vazhdoj të jetë profesionale, e pa lëkundur në përmbushjen e misionit, vizionit dhe objektivave të saja, dhe e pa ndikuar nga shantazhet dhe  tendenca për ndërhyrje në pavarësinë operacionale”, shton Policia e Kosovës.

Lidhur me deklarimet e z. Mustafa për angazhimet e disa zyrtarëve policor në universitete publike e kolegje private, kjo çështje sipas PK-së, është e rregulluar me procedura të veçanta dhe angazhimi i tyre në kolegje jashtë orarit të rregullt është i autorizuar dhe në përputhje me procedurat e PK, dhe në asnjë mënyrë angazhimi i zyrtarëve të PK-së me grada akademike nuk duhet perceptuar si “sjellje nëpër kolegje” por si një vlerë shtesë jo vetëm për PK-në por edhe për institucionet arsimore.

“Tendenca për të paraqitur PK-në, në mënyrë hipotetike dhe me gjasa të probabilitetit si institucion i korruptuar nuk kuptohet ndryshe veç se përbuzje, njollosje, dhe etiketim i vlerave që përfaqësojnë mijëra burra dhe gra, të cilët  sakrifikojnë ditë dhe natë për sigurinë e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Policia thotë se “në asnjë rrethanë perceptimet personale si këto të z. Mustafa, nuk do të zbehin imazhin dhe përkushtimin shumë të madh të PK-së për ti shërbyer vendit”./Insajderi.com

Ministria e Brendshme: Shumë polic janë të korruptuar, ruajnë diskoteka dhe vizitojnë kazino