“Politico

Politico: Bllokohen bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Politico: Bllokohen bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Prestigjiozja “Politico” shkruan se Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të presin për fillimin e negociatave me BE-në.

Sipas gazetës britanike liderët e BE-së luftuan deri pas mesnate për të marrë vendim për dy kombet e vogla të Ballkanit, por që në fund takimi përfundoi pa asnjë vendim konkret.

Thuhet se presidenti francez Emmanuel Macron kundërshtoi ashpër dhënien e datës për fillimin e negociatave dhe se përfundimisht mbizotëroi ndaj liderëve të tjerë, përfshirë presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilët fillimisht ishin pro dhënies së datës.

Ndërsa sipas “Politico” kryeministri holandez, Mark Rutte ka mbështetur një kompromis të mundshëm që do të lejonte fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, ndërsa Shqipëria do të lihej të priste. Sidoqoftë, propozimi për ndarjen e vendeve nuk ishte gjithashtu i pranueshëm.

Revista britanike citon se argumentet e presidentit francez Macron ishin që Unioni duhet ti nënshtrohet reformave të brendshme para se të hapen dyert  për anëtarët e rinj, por se gjithashtu ka theksuar se Maqedonia dhe Shqipëria nuk janë  ende të gatshme për të filluar procesin e pranimit në BE.