Politika unike për ta bërë ushtrinë pas një dekade

Politika unike për ta bërë ushtrinë pas një dekade

Një proces vendimmarrjeje që ka unifikuar politikën e polarizuar të Kosovës ndodhet në Kuvend, shkruan sot Koha Ditore.

Subjektet në koalicion qeverisës dhe ato në opozitë, përjashtuar Listën Serbe, të mërkurën i kanë dhënë mbështetje tri projektligjeve të sponsorizuara nga Qeveria, nëpërmjet të cilave i jepet start transicionit disavjeçar për ta kthyer në ushtri Forcën e Sigurisë (FSK).

Mbështetja është deklaruar në Komisionin parlamentar për mbikëqyrjen e FSK-së, ku janë shqyrtuar të tri projektligjet që synojnë ta bëjnë FSK-në me mandat ushtrie.

Projektligji bazë është ai për FSK-në dhe mbështetet me Projektligjin për shërbimin në FSK dhe me atë për Ministrinë e Mbrojtjes. Të triave i është dhënë vota pro, në parim.