fbpx

Politikanët kosovarë kujtojnë viktimat e 11 shtatorit

Politikanët kosovarë kujtojnë viktimat e 11 shtatorit

Sot janë bërë 18 vite që kur grupi terrorist i Al Kaidës sulmojë  Shtetet e Bashkuara të Amerikës  më 11 Shtator 2001. Objekte të sulmit ishin ndërtesa të rëndësishme në SHBA, si Kullat Binjake ku ishte vendosur Selia e Organizatës Botërore të Tregtisë, ndërtesa e Pentagonit si dhe Shtëpia e Bardhë, shkruan Insajderi.

E kjo ditë nuk mbeti pa u përkujtuar edhe nga skema politike e Kosovës.

Në mëngjes në oborrin e Qeverisë së Kosovës  është zbuluar pllaka memoriale “Kosova kujton”  në nderim të viktimave të sulmit të 11 shtatorit 2001.

Kjo pllakë memoriale u zbulua nga kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kossnet.

Me këtë rast Haradinaj u shpreh se Kosova bashkëndjen me Amerikën si dhe kjo data do të kthehet në traditë institucionale.

“Akti terrorist në New York të ShBA-së ishte goditje ndaj institucioneve dhe popullit amerikan, ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë, mbi miqtë tanë dhe ne. Kosova bashkëndjenë me Amerikën dhe kujtimin për të rënët e kësaj dite do ta kthejë në traditë institucionale për çdo vit.” ka shkruar Haradinaj.

Këtë ditë nuk la pa e kujtuar edhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili tha se bashkëndjen  thellë me popullin amerikan sepse Kosova e di mirë se çfarë është humbja e njerëzve të pafajshm.

“Kosova bashkëndjen thellë me dhimbjen e popullit amerikan dhe familjet e viktimave. Ne e dimë se çdo të thotë humbja e njerëzve të pafajshëm pasi edhe sot jetojmë çdo ditë me dhimbjet dhe pasojat e luftës, me ankthin dhe vuajtjet për ata që ende janë të pagjetur”, është shprehur Kurti.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se kjo ditë ndryshoi botën për keq, dhe se sot jem të gjithë bashkë me SHBA-të.

“Sot, i kujtojmë sulmet e 11 shtatorit në vendin mik, SHBA. Një ditë që ndryshoi botën për keq. Kosova sot është pjesë e luftës kundër terrorizmit dhe aleancës së prirë nga ShBA-të. Nga më shumë se 2600 të vdekur, për fat të keq, kishte edhe viktima me origjinë shqiptare. Sot jemi të gjithë Neë York në një ditë si kjo” ka shkruar Pacolli.

Kreu i Parisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, me rastin e 11 shtatorit ka thënë se terrorizmi është një e keqe për gjithë njerëzimin pa dallim kombi, feje e race.

“Para 18 vjetësh, më 11 shtator 2001, shtetet paqedashëse me demokraci të lira përjetuan një tragjedi botërore. Mijëra jetë të pafajshme të njerëzve me kombësi të ndryshme u shuan prej sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat ishin më të rëndat në historinë e njerëzimit.Vdekja e tyre tregon se ai sulm na ka prekur të gjithëve dhe se terrorizmi është një e keqe për gjithë njerëzimin, pa dallim kombi, feje e race” ka thënë Veseli.

Në anën tjetër zëvendëskryeministrit në detyrë, Enver Hoxhaj ka thënë se kjo ditë ka bërë një kthesë të madhe në histori pasi që bashkoi tërë botën që të luftojë të keqën globale.

“11 shtatori kujtohet në botë si ditë e dhimbjes por edhe ditë e kthesës. Humbja e jetëve të pafajshme me 11 shtator bashkoi tërë botën në luftën kundër të keqës globale. Ajo ditë, dëshmoi se themeli i lirisë, paqes dhe sigurisë globale është çdo herë e më i palëkundur kur popujt bashkohen për të mirën e përgjithshme” ka shkruar Hoxhaj. /Insajderi.com