Politikanët nacionalistë mund të rindezin konflikte në Ballkan

Politikanët nacionalistë mund të rindezin konflikte në Ballkan

Anëtari i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA) në Washington, Janusz Bugajski ka folur për zgjedhjet e 11 qershorit, procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes të Kosovës e Serbisë, strategjinë e Bashkimit Evropian për zgjerim në Kosovë, ndikimin e presidentit amerikan, Donald Trump në regjion si dhe për tensionet e fundit në Ballkan.

Në këtë intervistë dhënë për IBNA Bugajski ka thënë se edhe pse ai gjithmonë ka shpresë, është herët të flitet nëse qeveria e re do të jetë ajo që do të sjellë ndryshime në qeverisje.

Sipas tij, duhet të pritet së pari formimi i qeverisë.

“Për të qenë e suksesshme ajo qeveri duhet të ndërmarrë hapa për të përmirësuar gjendjen në ekonomi, arsim, shëndetësi si dhe të jetë e suksesshme në arenën ndërkombëtare, duke e përparuar rrugën e Kosovës drejt NATO’s dhe anëtarësimit në BE, ka thënë Bugajski, transmeton gazetametro.net

Kurse, sa u përket bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, Bugajski së pari përmend faktin që bisedimet mes dy shteteve kanë stagnuar për shkak se ishte një periudhë e zgjedhjeve në dy vendet përkatëse.

Tutje, ai tregon edhe se në çka duhet të përqendrohet Kosova.

“Qeveria e re e Kosovës duhet të përqendrohet në çështjet e pazgjidhura që kanë të bëjnë me pakicën serbe, veçanërisht me Asosiacionin e Komunave me shumicë serbe, për të cilin komuntetii ndërkombëtar ka bërë shtytje që të formohet”, u shpreh ai.

Ai përmend edhe disa detyra me rëndësi për shtetin serb, shkruan gazetametro.net

“Beogradi, duhet poashtu t’i marrë disa hapa të rëndësishëm, duke i dhenë fund pengesave që po i bën Kosovës në njohje nga shtetet tjera, e edhe në rrugën për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, tha Bugajski, duke shtuar se një gjë e tillë do të dërgonte në normalizimin e plotë në mes të shteteve të pavarura.

Ndërsa, strategjinë e BE’së drejt Kosovës dhe vendeve të Ballkanit ai e quajti si shumë të ngadalshme, në një kohë kur po përballet me kriza në këtë pjesë.

Është përfolur se me fitoren e Donald Trump në Amerikë, politika e tyre karshi Ballkanit do të ndryshojë. Mirëpo, Bugajski thotë se një gjë e tillë ka shumë pak gjasa që të bëhet realitet.

“Ndryshimi i politikës amerikane në Ballkan nuk ka gjasa që të ndryshojë rrënjësisht, vetëm në rast se ka ndonjë zhvillim dramatik në regjion”, tha ai.

Sa ju përket tensioneve në rritje në Ballkan, ai ka veçuar Maqedoninë dhe Bosnje e Hercegovinën.

“Konfiktet mund të ndizen vetëm nga politikanët që luajnë me kartën e nacionalizmit apo ata që kërkojnë shkëputje territoriale, ose nga një publik i frustruar i manipuluar nga radikalët”, u shpreh Bugajski.

Në fund ai ka bërë thirrje që Amerika, NATO’ja, dhe BE’ja të mbikëqyrin nga afër skenarët e tillë, të cilët siç ai u shpreh, do t’i shkonin për shtati vetëm Rusisë dhe agjendës së saj për dobësim të Evropës dhe ndarje të Perëndimit. /gazetametro.net