Politikani kërkon që në “zebra” të mos kenë përparësi këmbësorët por makinat

Politikani kërkon që në “zebra” të mos kenë përparësi këmbësorët por makinat

Brenda një jave në Zvicër kanë ndodhur tri aksidente të rënda, ku viktima kanë qenë këmbësorët duke kaluar në “zebra”. Shpeshtimi i këtyre aksidenteve dhe sidomos përfundimi fatal që një i tillë pati për shqiptaren 19 vjeçe, Elida Osmani, ka nxitur një debat në mediet zvicerane, shkruan albinfo.ch.

Sigurisht, shumica e madhe shprehen të indinjuar me ngasësit që nuk tregojnë kujdes të duhur kur kalojnë në “vijat e bardha”, të cilat janë të parashikuara për këmbësorët. Ndërkaq, një deklaratë e një politikani, deputetit nacional të SVP-së nga Kantoni Aargau, Thomas Burgherr (në Tele M1) ka ngjallur habi dhe mosaprovim të qartë te pothuaj të gjithë.

Ai ka thënë se rregulli sipas të cilit këmbësori duhet të ketë përparësi në “zebër” tashmë “nuk është në pajtim me kohën”. Prandaj kjo përparësi duhet të hiqet. Sipas tij, duhet të jenë shoferët ata që do të kenë përparësi në vijat që sot quhen “të këmbësorëve”!

Këtë propozim ai e jep duke “argumentuar” se kështu mbrohen më së miri këmbësorët nga makinat.

Ndonëse disa shoferë e kanë mbështetur politikanin në fjalë, shumica dërmuese e tyre dhe pothuaj i gjithë opinioni dhe politikanët, e quajnë këtë ide të krisur ose “Schnappsidee” (ide alkooli).

Ndër të tjerë, pjesëtarja e qeverisë së Kantonit Aargau, Irene Kälin nga Partia e Gjelbër citohet të ketë thënë: “Unë kaloj në vijat e këmbësorëve pa kërkuar fare kontakt me sy me shoferin që vjen, pasi që unë jam e mendimit se kjo eshtë zonë që më takon mua”.

Me gjithë mirekuptimin për këmbësorët, policia megjithatë apelon për kujdes gjatë kalimit nëpër “zebra”: “Besimi te shoferët është i mirë por kontakti me sy me të, edhe më i mirë”.

Kundër politikanit të SVP-së është edhe TCS (Tourung Club Schweiz), që duhet të ishte më i afërt me interesat e shoferëve. Kështu, sipas kryetarit të TCS, Daniel Graf, sikur të dëgjohej propozimi i Burgherr-it, këmbësorët, në disa rrugë me trafik të dendur automjetesh, nuk do të mund të dilnin kurrë në anën tjetër të rrugës”, transmeton albinfo.ch. Prandaj sipas tij kjo ide është krejtësisht e huqur.

Në Zvicër, deri në vitin 1994 këmbësorët ishin të detyruar që, kur të kalonin në brezin për për trupim të rrugës, të ngrenin dorën për t`i sinjalizuar ngasësit se po kalojnë.