fbpx

Pompeo nis vizitën në Evropën Qendrore

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka nisur vizitën e tij në pesë shtete evropiane, në disa prej të cilave, zyrtarët amerikanë besojnë se është duke u rritur ndikimi i Rusisë dhe Kinës.

Pompeo nis vizitën në Evropën Qendrore

Pompeo është planifikuar të arrijë në Hungari më 11 janar, për të vazhduar më pas vizitën në Sllovaki dhe Poloni.

Ai pritet të kompletojë udhëtimin e tij me disa vizita në Bruksel dhe Rekjavik të Islandës, më 15 janar.

Një zyrtar i lartë i administratës ka thënë se Pompeo do të takohet me kryeministrin hungarez, Victor Orban, i cili njihet si përkrahës i presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton REL.

Zyrtarët kanë thënë se bisedimet do të fokusohen “në përpjekjet që po bëhen për të rritur bashkëpunimin në siguri, në luftimin e agresionit rus si dhe mbështetjen për Ukrainën”.

Përveç tjerash, të dy zyrtarët pritet të diskutojnë dhe rolin e Hungarisë në Afganistan si dhe në luftimin e grupit militant, Shteti Islamik (IS) në Lindje të Mesme.

Po i njëjti zyrtar ka thënë se Pompeo “do të tregojë mbështetje për pjesëtarët e shoqërisë civile” në Hungari, kur të takohet me liderët e organizatave joqeveritare.

Në të kaluarën, Hungaria është klasifikuar nga organizata Freedom House si shtet “i lirë” në aspektin politik, mirëpo në raportin e vitit 2019, ai është renditur në mesin e shteteve “pjesërisht të lira” për shkak të sulmeve të partisë së Orbanit ndaj medieve, gjykatave, grupeve fetare, akademisë, organizatave ndërkombëtare dhe sektorit privat.

Në Poloni, Pompeo do të jetë pjesë e një konference për Lindje të Mesme, e cila pritet të fokusohet te çështjet rreth Iranit.