Poroshenko: Zotëri Putin, kjo është luftë, nuk është mahi

Presidenti i Ukrainës ka porositur se nuk bëhet fjalë për një incident apo krizë sepse forcat e rregullta ruse nën flamurin e tyre i kanë sulmuar anijet luftarake ukrainase.

Poroshenko: Zotëri Putin, kjo është luftë, nuk është mahi

Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko i ka bërë thirrje vendeve perëndimore të marrin qëndrim më të ashpër kundër Rusisë në momentin kur po përshkallëzohen tensionet në mes dy rivalëve rajonal, dhe njëkohësisht i ka porositur presidentit rus Vladimir Putin se ngjarja në ngushticën e Kreçkës paraqet akt agresioni.

“Zotëri Putin, kjo është luftë, kjo nuk është mahi, nuk është incident e as krizë sepse forcat e juaja të rregullta, nën flamurin rus i kanë sulmuar anijet luftarake të Ukrainës në luftën ndërkombëtare”, ka thënë Poroshenko për agjencinë amerikane Fox News.

Poroshenko ka theksuar se dëshiron të sheh prani domethënëse të NATO-s në Detin e Zi, ku forcat ruse në fund të nëntorit kanë hapur zjarr dhe i kanë sekuestruar tri anije kur i kanë arrestuar 24 marinarë, nën akuza se e kanë cenuar kufirin shtetëror rus në ngushticën e Kreçkës.

Presidenti ukrainas ka bërë thirrje për sanksione kundër Moskës dhe për prani të NATO-s në Detin e Zi në mënyrë që të ndalohet agresioni rus.

“Askush nuk e di se ku do të vendosë nesër Putini t‘i mbrojë interesat ruse”, ka thënë Poroshenko, duke shtuar se Ukraina ka nevojë për zhvillim ushtarak dhe teknik duke  përfshirë edhe furnizimin me armë vdekjeprurëse, në mënyrë që vendi të mbrohet nga operacionet tokësore.

Poroshenko ka pretenduar se planifikon t’i dërgojë anijet e marinës si përgjigje në bllokadën ruse  të ngushticës së Kreçkës, e cila e lidhë Detin e Zi me atë Azov e cila është rrugë kyçe ujore.

“Rusia bllokon lundrimin e lirë në ujërat territoriale ukrainase… Duhet të bllokohen anijet ruse të hyjnë në portet evropiane apo amerikane dhe jemi të gatshëm të koordinojmë në lidhje me çështjen se cilin lloj të aksionit duhet ndërmarrë menjëherë”, ka përfunduar presidenti ukrainas./Insajderi.com.