Porosia e Gjuriqit për serbët e Kosovë: Ju respektoni masat e Serbisë, ata po merren me politikë e jo me shëndet

I ashtuquajturi drejtor i zyrës serbe për Kosovën Marko Gjuriq ka thënë se “shqiptarët po merren me politikë, me ndarjet partiake”, dhe i ka këshilluar serbët që të mos përzihen në konfliktet shqiptaro – shqiptare”.

Porosia e Gjuriqit për serbët e Kosovë: Ju respektoni masat e Serbisë, ata po merren me politikë e jo me shëndet

Ai ka thënë se “derisa shqiptarët po merren me dukuritë kalimtare politike, Serbia ka siguruar për Qendrën Klinike në Mitrovicën e Veriut 430 shtretër nëse vjen deri te përhapja e koronavirusit, si dhe se Serbia ka organizuar ardhjen e shumë mjekëve dhe infermiereve nga Serbia në veri të Kosovës”.

“Janë siguruar 1.677 shtretër në Qendrën e Studentëve”, dhe ka shtuar se “ekziston plani i detajuar se ku do të shërohen të infektuarit serbë në Kosovë siç janë spitalet në Graçanicë dhe në Pasjan”.

Ai ka bërë apel në serbët nga Kosova që t’i respektojnë masat të cilat i ka marrë qeveria serbe dhe ta respektojnë orën policore, gjegjësisht ndalimin e qarkullimit pas orës 17.

“Shqiptarët në vend se të merren me shëndetësi, po merren me politikë, me ndarjet politike dhe gjërat kalimtare. Prandaj jam shumë i brengosur që vendbanimet shqiptare mund të shndërrohen në vatra të virusit”, ka pretenduar Gjuriq.

Ai i ka “këshilluar” përfaqësuesit e Listës Serbe që të mos përzihen në konfliktet shqiptare në Kosovë.

“Mendoj se është me rëndësi që LS të mos përzihet në marrëdhëniet shqiptaro – shqiptare”, ka thënë ai./Insajderi.com.