Prapaskenat Hysaj – Juve, e ardhmja në duart e PSG-së, shqiptari pret vendimin

Prapaskenat Hysaj – Juve, e ardhmja në duart e PSG-së, shqiptari pret vendimin

Elseid Hysaj sërish në merkato dhe këtë herë me një emër të madh. Juventusi mund të jetë destinacioni i mbrojtësit të Kombëtares shqiptare në merkaton e janarit, por nuk mjafton vetëm dëshira e trajnerit Sarri.

Këtë herë, rebusin e ndërton Mattia De Sciglio, mbrojtësi që është ofruar si shkëmbim me shqiptarin, por edhe PSG.

Elseid Hysaj dhe Mattia De Sciglio mund të shkëmbehen mes tyre dhe Gattuso të ketë në krah një alternativë që e ka në plane prej kohësh.

Kjo e gëzon edhe Elseid Hysajn, i cili jo vetëm do të transferohej te bardhezinjtë, por mbi të gjitha do të stërvitej nga një trajner që e ka pasur tek Empoli dhe ai që e mori me vete edhe te Napoli.

Kësisoj, të gjitha palët do të ishin të kënaqura. Mirëpo, vështirëson gjithçka në këtë tratativë përfshirja e PSG-së. Ekipi francez, me Leonardon në postin e drejtorit, ka zgjedhur pikërisht De Sciglio për krahët, duke qenë se Kurzawa nuk është më në llogari.

Jo vetëm kaq, por Juventusi kërkon nga francezët shërbimet e Leandro Paredesit dhe në këtë rast, Leonardo do të përfitonte që ta shkëmbente pikërisht me De Sciglio.

Në këtë mënyrë, kalimi i Hysajt te Juventusi mund të kishte pengesa të shtuara dhe do ta bënte shumë të vështirë. Ndaj, fati i shqiptarit me bardhezinjtë kalon nga PSG-ja, por edhe nga Genaro Gattuso dhe aftësia e këtij të fundit për të bindur De Sciglio që të zgjedhë Napolin dhe jo Parisin.

Menaxheri i futbollistit kuqezi është në punë e sipër për sistemimin e tij dhe ka deklaruar se në ditët e para të janarit do të bisedojë me Gattuson dhe presidentin De Laurentiis për të ardhmen e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare.