Presidenca demanton MPJ-në: Dekretet janë dorëzuar te të gjitha palët

Presidenca demanton MPJ-në: Dekretet janë dorëzuar te të gjitha palët

Zyra e Presidencës ka demantuar njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, se këta të fundit nuk janë njoftuar zyrtarisht për vendimin e ushtrueses së detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, lidhur me shfuqizimin e katër dekreteve për kthimin e katër konsujve të përgjithshëm të emëruar para disa muajve.

Siç bën të ditur për Gazetën Online Insajderi, këshilltari për media i u.d, së Presidentes, Bekim Kupina, dekretet janë dorëzuar edhe te kjo ministri.

“Dekretet janë dorëzuar në mënyrë elektronike te të gjitha palët”, ka thënë shkurtimisht Kupina për redaksinë.

Nga MPJD gjatë pasdites së sotme u tha se ende nuk janë njoftuar zyrtarisht për vendimin e u.d, së presidentes, Vjosa Osmani, lidhur me shfuqizimin e këtyre katër dekreteve.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka pranuar ende zyrtarisht nga Presidenca asnjë dekret në lidhje me atë që është raportuar në media – shfuqizimin e dekreteve për katër konsujt të përgjithshëm”, kanë thënë sot nga kjo ministri, duke shtuar se nuk mund të ndërmarrin asnjë hap, derisa t’i pranojnë zyrtarisht dokumentet nga Presidenca.

Ndryshe, Osmani të mërkurën ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm në Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë.

Siç thuhet në komunikatën për media, sa i përket tri rasteve të para, bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe Ambasada.

“Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte ekzekuaturë/pëlqim nga shteti pritës. Ndërkaq, sa i përket rastit të katërt, atij të konsullit në Tiranë, u.d. Presidentja Osmani ka vendosur ta shfuqizojë dekretin për emërimin e konsullit të përgjithshëm, në përputhje me propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme, propozim ky i cili nuk ishte marrë për bazë nga Presidenti paraprak”, thuhet në njoftim.

Vendimi i Osmanit erdhi pas raportimeve se djali i deputetit Haxhi Shala, Flakron Shala, është emëruar në pozitën e konusllit të përgjithshëm në Pragë.

Madje për këtë vendim nuk ishte në dijeni as kryeministri Avdullah Hoti, që dje u shpreh se për këtë vendim është njoftuar nga mediet.

“Për emërimin e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës Kosovës në Pragë të Çekisë, jam njoftuar nga mediat. Ky emërim nuk është koordinuar me mua”, ka deklaruar Hoti me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Përveç Shalës, me vendim të Osamnit janë shkarkuar edhe Blendi Kilaj nga konsullata në Lubjanë, Lindon Kqira nga konsullata në Shkup dhe Halim Krasniqi nga konsullata e Kosovës në Tiranë. /Insajderi.com