Presidentët e pazakontë të fundjavës: Një komedian dhe një aktiviste

Presidentët e pazakontë të fundjavës: Një komedian dhe një aktiviste

Një aktiviste e luftës kundër korrupsionit fitoi zgjedhjet presidenciale në Sllovaki duke u bërë e para grua që merr kreun e shtetit. Zuzana Caputova thuajse nuk ka asnjë eksperiencë politike, megjithatë fitoi ndaj një diplomati të profilit të lartë, i nominuar nga partia në pushtet.

Caputova bëri fushatë duke deklaruar se kjo është një betejë mes të mirës dhe të keqes. Zgjedhjet pasojnë vrasjen e një gazetari investigativ vitin që shkoi. Jan Kuciak po hetonte lidhjet e politikanëve me krimin e organizuar kur u ekzekutua bashkë me të fejuarën.

Caputova tha se vrasja e gazetarit ishte një nga arsyet që e nxiti të garonte për presidente, një post kryesisht ceremonial. Ajo fitoi 58 përqind të votave.

Ndërkohë një tjetër zhvillim interesant nga zgjedhjet presidenciale vjen prej Ukrainës. Atje një komedian 41-vjeçar po udhëheq garën për t’u zgjedhur president. BBC raporton se ai ka fituar raundin e parë me 30.4 përqind të votave. Volodymyr Zelenskiy konkurron përballë liderit aktual, Petro Poroshenko që mori 17.8 përqind të votave. Tashmë zgjedhjet do shkojnë në një raund të dytë më 21 prill.

Presidenti ukrainas ka fuqi domethënëse në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe politikën e jashtme. Ukraina njihet si republikë gjysmë-presidenciale.

Zelenskiy është i famshëm në vendin e tij për një serial satirik. Për ironi, aty ai portretizon një qytetar të zakonshëm që bëhet president pasi lufton korrupsionin.

Ai duket se do e kthejë në realitet serialin. Gjatë kësaj kohe, ai nuk ka bërë ndonjë fushatë klasike, nuk ka dalë në mitingje dhe rrallë ka dhënë intervista. Madje nuk ka as shumë qëndrime të forta politike, përveç faktit që kërkon të jetë i ri dhe ndryshe.

Përdorimi i rrjeteve sociale, duke u bërë apel të rinjve, ka qenë arma e tij e fortë. Gatishmëria për të folur rusisht dhe gjuhën ukrainase, në një kohë kur ky është një problem i ndjeshëm, i ka dhënë mbështetje edhe në zonat pro-ruse.