Presidenti: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke

Presidenti: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke

“Pas vizitës javën e kaluar në Bruksel ku diskutova me të ngarkuarin special të Bashkimit Evropian për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, ishte e domosdoshme që të jem edhe në SHBA, në mënyrë që në këtë fazë të dialogut, por edhe hapave tonë të mëtutjeshëm për integrime euroatlantike të jemi në Uashington dhe pata kënaqësinë e veçantë të bashkëbisedoj me zyrtarët e Departamentit të Shtetit dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë së SHBA-së për hapat që duhet t’i ndërmarrë Kosova aktualisht, por edhe në të ardhmen”.

Këto komente presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i bëri nga Uashingtoni për RTV21.

Presidenti tha se dialogu duhet të ketë vetëm një rend dite, “njohja reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë”.

Ditë më parë Thaçi udhëtoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai nuk mori pjesë në takimin e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë për shkak të propozim-aktakuzës kundër tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Thaçi ka qenë vazhdimisht insistues për një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë dhe për këtë ai tha se “duhet të vazhdojmë këtë proces duke filluar nga koka e çështjes dhe jo nga bishti”. /Insajderi.com