Presidenti: Adem Demaçi e lartësoi idealin e lirisë në pikën e paarritshme prej të tjerëve

Presidenti: Adem Demaçi e lartësoi idealin e lirisë në pikën e paarritshme prej të tjerëve

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në ceremoninë komemorative për veprimtarin e shquar, Adem Demaçi, ka thënë se ai ishte dhe do të mbetet ndërgjegjja jonë kombëtare.

Presidenti Thaçi ka thënë se simboli ynë i qëndresës, Adem Demaçi, ishte i burgosuri shqiptar numër Një i ndërgjegjes në ish-Jugosllavi dhe në Evropë.

Ky është fjalimi i plotë i Presidentit të Republikës së Kosovës në ceremoninë komemorative për veprimtarin e shquar, Adem Demaçi:

I nderuar President i Shqipërisë, z. Ilir Meta,

Të nderuar liderë dhe përfaqësues institucionalë të shqiptarëve kudo që jetojnë,

Të nderuar qytetarë të Kosovës,

Të nderuar bashkëkombës,

Zonja dhe zotërinj,

Kosova që dy ditë është në zi.

Bota shqiptare në pikëllim.

Sot, më 28 korrik, kombi shqiptar po ndahet fizikisht nga Adem Demaçi, një kolos që u vetëmohua tërë jetën për qëllimin madhor, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Kosova dhe mbarë bota shqiptare po ndahet nga Adem Demaçi, një personalitet historik i jashtëzakonshëm  me integritet të lartë intelektual, letrar, politik dhe kombëtar.

Bota po ndahet nga Mandela i Evropës.

Adem Demaçi me tërë qenien e tij fizike, mendore, intelektuale e morale jetoi për një qëllim:

Çlirimin e Kosovës nga Jugosllavia dhe Serbia.

Rininë,  shpirtin e talentuar e plot dhunti dhe moshën e burrërisë, Adem Demaçi i flijoi 28 vjet në burgje jugosllave, pa u thyer dhe pa u mposhtur asnjëherë.

Zonja dhe zotërinj,

Për ironi të fatit dhe magjinë e numrave, Adem Demaçi vdiq pardje më 26 korrik, duke lënë një zbrazëtirë të madhe në historinë e Kosovës.

Në shekullin e jetës së tij 82 vjeçare para çlirimit të Kosovës, Adem Demaçi 26 vjet i përjetoi prangat e robërisë së atdheut.

28 vjet qëndroi i pamposhtur në pranga.

28 vjet jetoi pas daljes së fundit nga burgu.

Sot, me 28 korrik, po varroset me nderimet më të larta shtetërore dhe kombëtare.

Adem Demaçi ishte dhe do të mbetet ndërgjegjja jonë kombëtare.

Simbol i qëndresës.

I burgosuri shqiptar numër Një i ndërgjegjes në ish-Jugosllavi.

I burgosuri numër Një i ndërgjegjes në Evropë.

Nga i munguar 28 vjet, ai u shndërrua në frymëzues të gjithë pranishëm për brezat e ardhshëm që ndoqën dhe përqafuan idealin e lirisë dhe rrugën e çlirimit.

Zonja dhe zotërinj,

Adem Demaçi ideal jetësor e kishte bashkimin e shqiptarëve.

Parimi themelor i filozofisë së tij politike mbështetej tek ideja që hapi i parë i lirisë dhe çlirimit duhet të merret nga vetvetja.

Prandaj, Adem Demaçi, ishin ngjarjet dhe kthesat politike të Kosovës më 1968, 1981, 1989.

Adem Demaçi ishte lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zonja dhe zotërinj,

Qytetarë të nderuar,

Me qëndresën e tij Adem Demaçi u bë simbol i lirisë filozofike, kombëtare dhe universale.

Për realizimin e lirisë ai u përkushtua në të gjitha fazat e jetës.

Shpirti dhe ideali tij ishte më i fuqishëm se burgu, policia dhe ushtria serbe dhe jugosllave.

Përkundër burgosjes së gjatë ai mbeti njeri i madh me shpirt fisnik.

Duke qenë njeriu që u flijua për lirinë e popullit të tij, Adem Demaçi gjithmonë rrezatoi humanizëm për qenien njerëzore.

Dashuri ndaj popujve tjerë.

Mirëkuptim dhe solidaritet për të rrezikuarit.

Falje dhe pajtim në vend të hakmarrjes.

Paqe dhe harmoni midis gjinisë njerëzore.

Për guximin dhe angazhimin e tij për lirinë e mendimit, ai mori çmimin e Parlamentit Evropian “Saharov” më 1991.

Ai nderoi kombin tonë.

Ne jemi të lumtur dhe krenarë që jetuam në epokën e Adem Demaçit.

Ne jemi krenarë që populli ynë i dha njerëzimit profile humaniste të nivelit të lartë si Adem Demaçi – njeriun që tërë jetën ia kushtoi lirisë.

Zonja dhe zotërinj,

Adem Demaçi ishte njeriu më antikonformist që ka prodhuar ndonjëherë mendësia,  kultura dhe historia jonë politike.

Ai ishte i madh edhe kur fliste.

Ai ishte i madh edhe kur qortonte.

Në momentet më të rënda historike ishte mbështetës, zëdhënës dhe përfaqësues i lartë politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Adem Demaçi kishte fituar imunitetin e pavdekësisë, andaj nuk u largua nga Prishtina as në ditët kur krimet dhe gjenocidi i forcave policore e ushtarake serbe ishte në kulm.

Adem Demaçi edhe pas çlirimit të Kosovës ishte zë autonom.

Kolos i mendimit të lirë.

Kritik i papërmirësueshëm.

Adem Demaçi ishte sa elitar aq edhe modest.

Një atdhetar i kulluar me pushtet të pafund moral.

Zonja dhe zotërinj,

Emri, jeta dhe vepra e Adem Demaçit është shndërruar në simbol me vlera universale:

I burgosur fizikisht – shpirtërisht i lirë.

Dialektikan në mendje – në karakter i pathyer.

Kundërshtar i tiranisë – zë i të dobëtëve.

Adem Demaçi me sakrificën dhe përkushtimin e tij e ridefinoi dashurinë për atdheun dhe lirinë e tij.

Me disidencën dhe kokëfortësinë e tij i shtyri kufijtë që kishin vendosur disidentët botërorë.

Adem Demaçi e lartësoi idealin e lirisë në pikën e paarritshme nga kushdo që vjen pas tij.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës.

Lavdi!