Presidenti fal diktatorin për të shpëtuar postin

Presidenti fal diktatorin për të shpëtuar postin

Policia në Peru u përlesh me mijëra protestues të zemëruar për lirimin e ish presidentit Alberto Fujimori, i cili u fal nga autoritetetet. Gjatë ditës së dytë të protestave në kryeqytetin Lima, demonstruesit e shumtë kërkuan që falja e tij të anulohet.

Një javë më parë, Fujimori u dërgua nga burgu në spital pasi kishte probleme shëndetësore dhe falja presidenciale u bazua pikërisht mbi to. Ditën e Krishtlindjeve, presidenti peruan Pedro Pablo Kuczynski vendosi që ta falte Fujimorin për arsye shëndetësore. Por kjo nuk u vlerësua aspak nga shumica e perunëve që Fujimorin e konsiderojnë si diktator.

Alberto Fujimori drejtoi Perunë nga viti 1990 deri në 2000 dhe më pas u dënua me 25 vjet burg për shkleje të drejtave të njeriut dhe korrupsion. Falja e tij përflitej prej kohësh në media, sidomos pas tentativave në Kongres për të paditur presidentin Kuczynski.

Forca popullore, partia që udhëhiqet nga Keiko Fujimori, vajza e ish presidentit Fujimori, organizoi një mocion kundër Kuczynskit. Por mocioni dështoi pasi Kenji Fujimori, djali i ish presidentit, anëtar i së njëjtës parti, votoi kundër duke ngritur dyshime për marrëveshje me kreun aktual të shtetit për të falur babain e tij. Sigurisht që palët e përfshira i mohojnë këto pretendime, por protesta në rrugë dhe zemërimi popullor tregon se pak vetë i besojnë.